Fushë-Kosova nuk e miratoi rezolutën për përmirësimin e kaosit në trafik

Fushë KosovëPostuar: 11:14 / 25.02.2019

Rezoluta e iniciativës qytetare të Fushë-Kosovës, që synonte rregullimin e trafikut në këtë komunë, nuk është miratuar në Kuvendin Komunal të saj.

Ky dokument vetëm ishte futur si pikë e rendit të ditës (në të ndryshme) për diskutim në seancën e parafundit të Kuvendit Komunal, por nuk ishte hedhur në votim.

Sipas iniciuesit të kësaj rezolute, Naser Grajçevci, i cili është edhe këshilltar komunal i Iniciativës Qytetare, pengesat kanë ardhur nga partia në pushtet, LDK, pa votën e të cilëve rezoluta nuk mund të kalonte, shkruan sot Koha Ditore.

Megjithatë, ai është i kënaqur që çështja e trafikut në Fushë-Kosovë është futur në agjendë të ekzekutivit komunal.

“Rezoluta është diskutuar në mbledhjen e parafundit dhe si e tillë është pranuar jo në formë të rezolutës, por si obligim për ekzekutivin që të fillohet me ndërmarrjen e veprimeve sipas propozim-rezolutës. Për ne, si Iniciativë Qytetare e Fushë-Kosovës, është me rëndësi që të adresojmë problemet reale të qytetarëve dhe zbatimi i tyre i mbetet ekzekutivit”, ka thënë Naser Grajçevci.