Fushë Kosova përshëndet anulimin e projektit 12 milionësh të BE-së për deponinë e mbeturinave

Fushë KosovëPostuar: 11:40 / 10.06.2019

Komuna e Fushë-Kosovës, ka përshëndetur vendimin e Komisionit Evropian për anulimin e projektit prej 12 milionë eurosh për ndërtimin e deponisë së mbeturinave të rrezikshme në Kosovë. Kjo deponi ishte paraparë të ndërtohet në zonën kadastrale Harilaq në komunën e Fushë Kosovës.

Zëdhënësi i Fushë-Kosovës, Ali Topalli në një deklaratë të dhënë për Telegrafin tha se e kanë mirëpritur vendimin e Bashkimit Evropian, Zyra në Kosovë, për anulimin e projektit ‘Hartimi i planit për deponinë për mbeturinat e rrezikshme'”.

“Ne e përshëndesim vendimin i cili ka marrë parasysh vullnetin e qytetarëve të Fushë Kosovës, dhe vendimin e Kuvendit Komunal të datës 25.10.2018”, tha Topalli.

Theksojmë se Zyra e BE-së në Kosovë, ka bërë të ditur se i është dashur të anulojë projektin prej 12 milionë eurosh për ndërtimin e deponisë së mbeturinave të rrezikshme në Kosovë, dhe se për fat të keq autoritetet lokale të Kosovës kanë dështuar në fund që ta mbështesin projektin.

BE ka shprehur shqetësim për anulimin e këtij projekti sepse sipas tyre, realizimi i këtij projekti do t’i sillte përfitime të mëdha popullsisë së Kosovës. Dhe se aktualisht nuk ka një përkujdesje për këto mbeturina dhe si të tilla paraqesin kërcënim për shëndetin e njerëzve.

Pas anulimit të projektit nga BE, ka reaguar edhe ministri i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, i cili ka shprehur shqetësim në lidhje me dështimin e realizimit të projektit për ndërtimin e objekteve për ruajtjen e përkohshme të mbeturinave të rrezikshme në Harilaq të Fushë Kosovës, si rezultat i refuzimit të komunës pa ndonjë argument.

Theksojmë se lokacioni i këtij projekti është kundërshtuar në mënyrë unanime nga Kuvendi i Komunës së Fushë Kosovës, nga qytetarët e fshatit Harilaç dhe fshatrave përreth.