Fushë Kosovë, bletarët këshillohen për përgatitjen e bletëve për dimërim

Fushë KosovëPostuar: 16:26 / 04.10.2017

Është mbajtur këshillimi i parë për muajin tetor me të gjithë fermerët e Komunës së Fushë Kosovës, të cilët kanë shprehur interesim nga lëmi i bletarisë me temën "Përgatitja e bletëve për dimërim" me ekspertin e bletarisë prof. Zymber Bajraktari.

Ky këshillim është mbajtur në kuadër të projektit: Zhvillimi i zonave rurale përmes avancimit shërbimeve këshillimore, që është duke u implementuar në të gjitha komunat e Kosovës nga ESG (Economic Suport Group), kompani konsulente vendore me seli në Gjilan, raporton InfoKomuna.

Me projekt parashihet që çdo komunë t’i mbaj nga 2-3 këshillime për çdo muaj brenda vitit, me ekspertë të angazhuar nga projekti, me tema të ndryshme në bazë të kërkesave të fermerëve nga të gjithë sektorët e bujqësisë, si: lavërtaria, blegtoria, pemëtaria, bletaria. mbrojtja e mjedisit, pylltaria etj.

Për këshillimin e radhës brenda këtij projekti 3 vjeçar (2017-2020) do t’ju njoftojmë me kohë.

Vlen të theksohet se komuna jonë ka kontribuar shumë në revitalizimin e sektorit të bletarisë me projekte të shumta, si: furnizim me koshere bletësh, pajisje bletare, por nuk do të mungoj përkrahja e bletarëve nga komuna.

Sektori i bletarisë numëron mbi 200 bletarë, prej tyre 25%( 50 bletarë) janë bletarë gjysmëkomercial me nga 30-50 shoqëri bletësh, kurse 75% (150 bletarë) janë bletarë të vegjël me nga 2-5 shoqëri bletësh. /InfoKomuna/