Fushë Kosovë, rritet numri i bizneseve për 12%

Fushë KosovëPostuar: 15:47 / 18.04.2018

Komuna e Fushë Kosovës ka vazhduar përpjekjet për krijimin e lehtësirave të të bërit biznes, andaj po bëhet vend që ka përshtatshmërinë më të madhe për të zhvilluar mikrobizneset dhe bizneset e vogla të cilat janë gjenerues të vendeve të reja të punës, raporton InfoKomuna.

Zyrtarët komunalë theksojnë se përgjatë vitit 2017 bizneset kanë qenë të liruara nga taksat për ushtrimin e veprimtarive biznesore e cila ka pasur ndërhyrje të favorshme për biznese.

"Sipas shënimeve me të cilat disponon Komuna, struktura ekonomike është e dominuar nga mikrobizneset, ku në të shumtën e rasteve janë biznese individuale që bëjnë investim të vogël të kapitalit përderisa ato krijojnë numër të madh të vendeve të reja të punës dhe paraqesin shtyllën kryesore të ekonomisë lokale", thuhet në njoftimin e komunës.

"Zyra për Biznese përgjatë vitit ka promovuar kushtet që ofron Fushë-Kosova për zhvillimin e biznesit, si rezultat kemi rritje të numrit të bizneseve për 12%, krahasuar me vitin paraprak", theksohet më tej.

Drejtoria e Zhvillimit Ekonomik fton të gjithë partnerët -pjesëmarrësit - përgjegjësit dhe shoqërinë civile, që janë kompetentë për zhvillim ekonomik lokal, të jenë pjesë e diskutimit publik lidhur me procedurat për lirimin nga taksa e biznesit për vitin 2018. /InfoKomuna/