Opozita në Fushë-Kosovë dyshon për shitje të subvencioneve për përfitues partiakë

Fushë KosovëPostuar: 15:59 / 14.02.2019

Kritika të shumta janë adresuar ndaj pushtetit në Fushë-Kosovë rreth mënyrës së subvencionimit të fermerëve në këtë komunë dhe për keqpërdorim të këtyre subvencioneve.

Këshilltarët opozitarë kanë thënë se në shumë raste subvencionet janë shitur nga përfituesit, në disa raste ato shfrytëzohen për qëllime tjera, ndërkohë që një pjesë e madhe e atyre që kanë përfituar më shumë se një herë janë njerëz të partisë në pushtet, shkruan sot Koha Ditore.

Shefi i Grupit të këshilltarëve të VV-së, Durim Hajra, ka thënë se mënyra e subvecionimit për këtë vit nuk ndryshon aspak nga ajo e vitit të kaluar. Sipas tij, edhe në 2018 kanë kërkuar të ketë një plan paraprak, ose një strategji të ndarjes së këtyre subvencioneve në mënyrë që të ketë efekt në zhvillimin e ekonomive familjare dhe në ngritjen e mirëqenies së tyre dhe po ashtu një raport se si kanë ndikuar këto subvencioneve në zhvillim rural dhe në mirëqenie të fermerëve.