Shpërndahen kompostuesit e parë në fshatrat e Fushë-Kosovës

Fushë KosovëPostuar: 11:24 / 15.10.2018

Në kuadër të zbatimit të Planit Komunal për Menaxhim të Mbeturinave, Komuna e Fushë-Kosovës ka filluar pilotimin e ndarjes së mbeturinave organike për kompostim në amvisëritë e fshatrave, duke nisur në këtë mënyrë pajisjen me infrastrukturë për kompostim shtëpiak në amvisëritë e para të zonës së përzgjedhur.

Objektivi i përgjithshëm i këtij projekti me impakt mjedisor është Zvogëlimi i sasisë së mbeturinave komunale përmes implementimit të kompostimit shtëpiak në nivel lokal në Komunën e Fushë-Kosovës, duke synuar në këtë mënyrë:

- Zvogëlimin e sasisë totale të mbeturinave të gjeneruara në zonën pilot;
- Profit ekonomik për përdoruesit e kompostimit përmes prodhimit të plehut organik;
- Edukim dhe vetëdijesim për trajtimin dhe menaxhimin e mbeturinës tek qytetarët.

Tashmë qytetarët të cilët do të pajisen me infrastrukturë për kompostim shtëpiak do të kenë mundësi që mbeturinat si barishte e gjethe prej oborreve që posedojnë, mbeturinat e frutave dhe të perimeve, etj., t’i klasifikojnë dhe përmes tyre të prodhojnë pleh organik për nevoja vetjake përmes procesit të dekompozimit në kompostues.

Komuna e Fushë-Kosovës do të vijojë me shpërndarjen e kompostuesve tek të gjitha amvisëritë e zonave të paracaktuara për të planifikuar më tutje për zgjerim në tërë territorin e komunës.

Ky është hap mjedisor në nivel lokal që kontribuon drejtpërsëdrejti për ngritjen e një sistemi efikas të menaxhimit të mbeturinave komunale./InfoKomuna/