GAP: Bien të hyrat komunale gjatë pandemisë deri në 90%

Postuar: 20:22 / 31.05.2020

Ndërmarrja e masave për frenimin e pandemisë COVID-19 ka ndikuar në dinamikën e punës në të gjitha komunat e Kosovës.

Instituti GAP ka bërë një analizë për të parë ndikimin e pandemisë COVID – 19 në pushtetin lokal, transmeton InfoKomuna.

Si pasoj e këtyre masave të gjeturat janë se, në të gjitha komunat, të hyrat komunale gjatë gjysmës së dytë të muajit mars 2020 dhe në muajin prill kanë shënuar rënie prej 45% deri 90%.

Komunat nuk do të arrijnë t’i përmbushin as planet e parapara në fushën e investimeve kapitale.

"Të gjitha kategoritë nga ku komunat sigurojnë të hyra janë prekur nga masat kundër përhapjes së COVID-19. Në bazë të raportimeve të komunave në Ministrinë e Financave dhe Transfereve (MFT), në muajin mars dhe prill të 2020, të gjitha komunat kanë arkëtuar të hyra në vlerë 5.8 milionë euro, apo rreth 9.3 milionë euro më pak krahasuar me muajt e njëjtë të vitit të kaluar."

"Komunat do të dalin të dëmtuara në të hyra vetanake veçmas nga kategoria e tatimit në pronë, nga gjobat policore në rrugët lokale, nga vendimet e gjykatave dhe nga shfrytëzimi i hapësirave publike nga ana e gastronomisë", thuhet në raportin e GAP.

Një pjesë e komunave kanë aprovuar pako ekonomike ku kanë paraparë faljen e shumicës së pagesave që janë planifikuar të bëhen në 2020 nga bizneset.

Kjo gjendje ka ndikuar edhe në rënien e numrit të të punësuarve. Sipas të dhënave të Fondit të Kursimeve Pensionale, në prill 2020 ka më pak kontributpagues nga secila komunë krahasuar me muajin dhjetor 2019.

Publikimin e plotë mund ta gjeni KËTU /InfoKomuna/