Gashi apelon tek qytetarët e Obiliqit që të bëjnë kujdes dhe t’i respektojnë rregullat

ObilicPostuar: 00:14 / 10.05.2020

Kreu i komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi, ka njoftuar se një rast pozitiv me COVID-19, është shënuar në këtë komunë.

Përmes një njoftimi Gashi thotë se i infektuari me coronavirus është rast kontakti dhe sipas informatave është punonjës shëndetësor në një klinikë private në Prishtinë.

“Sipas informatave të marra nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, në Obiliq kemi një rast pozitiv me COVID-19, rasti në fjalë është rast kontakti dhe sipas informatave është punonjës shëndetësor në një klinikë private në Prishtinë. Ekipet e QKMF-së, po qëndrojnë në kontakt me IKSHPK-në dhe me familjarët e të infektuarit”, thotë Gashi.

Ai u ka bërë thirrje qytetarëve t’i respektojnë rekomandimet e nevojshme në mënyrë që mos të përhapet më shumë virusi.

“Nuk ka nevojë për panik, ju bëjë thirrje shumë të sinqertë që të respektoni me përpikëri të gjitha rregullat e institucioneve shëndetësore, të vazhdoni të qëndroni në shtëpi edhe përkundër motit të mirë , evitoni daljet e shpeshta në mënyrë që të tejkalojmë këtë sfidë! Kujdes po, panik jo”, ka thënë Gashi.