Gjakova më transparentja në rajonin e Rrafshit të Dukagjinit

GjakovëPostuar: 10:42 / 20.02.2019

Komuna e Gjakovës është renditur më transparentja në mesin e gjashtë komunave të Rrafshit të Dukagjinit sipas hulumtimit njëvjeçar të Institutit Demokratik të Kosovës (KDI).

Kjo organizatë, të martën, ka publikuar rezultatet e “Transparometrit komunal” për komunat e Prizrenit, Pejës, Gjakovës, Suharekës, Rahovecit dhe Deçanit, në bazë të të cilit pas Gjakovës janë renditur komunat e Rahovecit, Pejës, Prizrenit, Suharekës dhe Deçanit.

Naim Cahani nga KDI-ja ka bërë të ditur se matja e transparencës në këto gjashtë komuna është bërë bazuar në 59 indikatorë, për periudhën janar – dhjetor 2018, dhe se për synim ka shtimin e llogaridhënies nga institucionet vetëqeverisëse lokale.

“Rezultatet e hulumtimit rendisin këto komuna si në vijim: Gjakova 99 pikë apo 83.89%, Rahoveci 94 pikë apo 79.66% , Peja 78 pikë apo 66.10%, Prizreni 76 pikë apo 64.40%, Suhareka 74 pikë apo 62.71%, edhe Deçani 67 pikë apo 56.77%”, ka thënë Cahani, gjatë konferencës për shtyp të mbajtur në Prizren.

Sipas tij “Transparometri...”, përkatësisht hulumtimi, ndjek një metodologji të matjes së indikatorëve në mënyrë objektive për katër shtylla themelore të qeverisjes lokale.