Gjakovë, hidhni mbeturinat në shportë dhe fitoni 15 minuta Wi-Fi falas

GjakovëPostuar: 16:52 / 04.04.2019

Nëse jeni në Gjakovë dhe keni nevojë për qasje në internet, atëherë bëni mirë që të afroheni tek shportat e mençura, të hidhni mbeturinat dhe ju do të shpërbleheni me 15 minuta shërbim wireless falas.

Të rinjtë nga Jakova Innovation Center të shoqëruar nga kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, sot prezantuan shportat e mençura të cilat janë krijuar nga të rinjtë e këtij qyteti.

Në këto shporta, ju do të mund të hidhni mbeturinën, ta skanoni atë që do të hidhni në shportë dhe pastaj të pajiseni me një kod i cili iu mundëson Wi-Fi pa pagesë në interval kohor prej 15 minutash.

Promovimi i projektit “SmartBin” u bë në parkun kryesor të qytetit të Gjakovës, ndërsa të tilla pritet të vendosen edhe në lokacione të tjera, si në Shkugëz, tek lumi Krena dhe tek parku i ri i qytetit.

Kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini, falënderoi të rinjtë që u angazhuan në këtë projekt si dhe ftoi qytetarët e tjerë që të angazhohen për një ambient më të pastër.

Ky projekt u implementua nga Balkan Green Foundation në bashkëpunim me Institutin për Politika Zhvillimore (INDEP) dhe me përkrahjen financiare të Komunës së Gjakovës dhe Bashkimit Evropian.