Dy punonjës shëndetësorë të Gjakovës janë shëruar nga COVID-19, tre vazhdojnë tretmanin në Infektivë

GjakovëPostuar: 18:12 / 08.04.2020

Situata në Spitalin e përgjithshëm të Gjakovës “Isa Grezda” është e qetë dhe punë aty vazhdon në suaza normale. Dy nga pesë personat që i përkisnin personalit shëndetësor tashmë janë shëruar, ndërsa tre të tjerët po vazhdojnë të trajtohen në Klinikën Infektive në kryeqytet.

Kështu ka deklaruar drejtori i këtij spitali, Hilmi Shala i cili shtoi se shërbimi në infektiven e këtij institucioni shëndetësor është 24 orë dhe janë në gatishmëri të plotë. Ai u shpreh se janë furnizuar edhe me pajisjet mbrojtëse.

“Në Spitalin tonë gjendja aktualisht është e qetë, puna vazhdon në suaza normale. Ne kemi pasur fat që pesë persona nga personeli shëndetësor kanë rezultuar pozitivë, dy janë shëruar janë kthyer në familjet e tyre, shumë shpejtë pritet t’i bashkohen stafit shëndetësor. Tre vazhdojnë të trajtohen në Klinikën Infektive në Prishtinë. Gjithçka është në suaza të normales, puna vazhdon normalisht, trajtohen pacientët”, deklaroi Shala.

Shala tregon se në këtë spital janë të angazhuar dy infektologë të cilët bëjnë trazhimin e pacientëve dhe i drejtojnë në Klinikën Infektive në QKUK.

Sa i përket furnizimit me materiale shëndetësore dhe masave të tjera për mbrojtjen e punonjësve shëndetësorë, Shala shprehet i kënaqur, duke thënë se deri më tani qëndrojnë mirë në këtë aspekt.

“Ne çdo pacient që vjen të ne me kërkua ndihmë, i bëjmë trazhimin e tij dhe i drejtojmë për në Klinikën Infektive. Atje bëhen testet e mëtutjeshme, nëse rezulton pozitivisht vazhdon trajtimin në QKUK. Jemi të pajisur mirë, jemi furnizuar nga Shërbimi Spitalor Klinik Universitar, nga Ministria e Shëndetësisë, gjithçka aktualisht është mirë. Në Spitalin e Gjakovës ka dy infektologë, mirëpo e kemi ngritur shërbimin me 14 edhe me mjekë të tjetër mbulohet shërbimi në Infektiv në 24 orë”, tha ai për kp.

Shala bëri të ditur se janë testuar të gjitha piklat kontaktuese të infermierëve të prekur me COVID-19, ndërsa sqaroi se personali shëndetësor dhe infermierët është infektuar nga jashtë, e jo nga brenda.

“Të gjitha pikat kontaktuese të këtyre infermierëve janë testuar dhe kanë rezultuar negativë. Dua ta sqaroj se infermierët dhe personeli shëndetësor pikë kontakti kanë pasur nga jashtë, jo nga brenda, pra kontakti i infeksionit ka ndodhur jashtë”, tha ai. /Telegrafi/