"Aeroporti i Gjakovës funksionalizohet gjatë 2018-ës"

GjakovëPostuar: 15:59 / 08.12.2017

Deri në mesin e vitit 2018 do të gjendet një zgjidhje për funksionalizimin e Aeroportit të Gjakovës. Kështu ka paralajmëruar ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, gjatë vizitës që bëri të premten në këtë ndërmarrje publike.

 Lluka tha se funksionalizimi i këtij aeroporti nuk do t’i kushtojë asgjë buxhetit të Kosovës, pasi kjo mund të bëhet përmes partneritetit me kompanitë private. Ministri i MZhE-së nuk e përjashtoi mundësinë që kompania “Limak”, e cila menaxhon Aeroportin e Prishtinës të funksionalizojë edhe Aeroportin e Gjakovës, raporton Ekonomia Online.

Kreu i MZhE-së theksoi se Gjakova ka një pasuri me potencial jashtëzakonisht të madh nëse arrihet të funksionalizohet. Sipas tij, Ndërmarrja Publike “Aeroporti i Gjakovës” posedon të gjitha pajisjet e nevojshme për të operuar si aeroport për aviokompani “low cost” si dhe si aeroport alternativ. “Sot u prita nga stafi i kësaj ndërmarrjeje dhe kryeshefja Ekzekutive, Vlora Gojani, nga ku u informova rreth statutit të kësaj ndërmarrje. Personalisht kam marrë zotim për aktivizimin e këtij aeroporti dhe besoj që do të kemi lajme pozitive deri në mes të vitit 2018”, tha Lluka. “U njoftuam për situatën. Është një aset jashtëzakonisht i rëndësishëm për vendin dhe ne mendojmë se duhet të aktivizohet që të gjenerojë zhvillim ekonomik, që të ketë më shumë fluturime, të sjellim më shumë turistë si dhe normalisht të punësojë, si rezultat i kësaj”, tha Lluka.

“Kemi filluar disa procedura tashmë për aktivizimin e këtij aeroporti. Jemi duke i shikuar formën më të mira ligjore që është e mundur. Besoj që shumë shpejt, jo më tepër se gjysma e vitit të ardhshëm ne të jemi në gjendje të kemi diçka konkrete rreth procedurave të aktivizimit të këtij aeroporti”. “Drejtoresha tregoi për sfidat që i kanë, sidomos për buxhet. Unë mora përsipër edhe si zotim që të shikojmë formën që të mos ketë probleme buxhetore, në mënyrë që një aeroport që ka shumë pak veta minimalisht të punësuar, ta mbajë veten dhe t’i mirëmbajë këto asete, vlera e të cilave është më e madhe. Prandaj ne si qeveri duhet të qëndrojmë mbrapa deri në momentin që e gjejmë një formë të aktivizimit të këtij aeroporti qoftë me sektorin provat qoftë me sektorin publik”.

“Aktivizimi në formën që ne dëshirojmë ta bëjmë nuk do të kushtojë asgjë për buxhetin, sepse do të bëhet me kapital privat. Normalisht ky është aeroport që ka shumë potencial të madh komercial…Me buxhet të Kosovës dhe menaxhim nën Qeverinë nuk besoj se do të jetë efikas dhe nuk ka kapacitete të mjaftueshme njerëzore. Prandaj kjo gjë duhet të bëhet vetëm përmes kompanive të specializuara të kompanive ndërkombëtare”, shtoi Lluka.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik tha se nuk evitohet si mundësi që Aeroporti i Gjakovës t’i jepet në shfrytëzim kompanisë turke “Limak”, e cila menaxhon Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës. “Edhe ajo formë është duke u shikuar. Unë jam takuar edhe me kompaninë ‘Limak’, që e menaxhojnë Aeroportin e Prishtinës. Në fakt mundësia më e thjeshtë dhe më e lehtë është realizimi përmes tyre, pasi që nuk kërkon investime nga ana jonë dhe kërkon vetëm një partneritet shtesë, një partneritet publik-privat me kompaninë në fjalë pasi që edhe kemi obligime ndaj kompanisë sipas kontratës së nënshkruar”.

Kryeshefja e Aeroportit të Gjakovës, Vlora Gojani, tha se aeroporti ka një vlerë prej 10 milionë eurosh.Ajo tha se nga ministri mori përkrahjen për financimin e shpenzimeve për mirëmbajtjen e tij, pasi sipas saj numri k personave që merren me menaxhimin e këtij aeroporti është minimal, raporton EO. “Kjo vizitë na mundësoi t’i shprehim të gjitha të arriturat të cilat janë bërë në Aeroportin e Gjakovës, jo në kuptimin ekonomik, mirëpo në kuptimin e mirëmbajtjes dhe sigurisë. Ky aeroport ka vlerë jashtëzakonisht të madhe, e cila është e gjitha donacion diku përafërsisht 10 milionë euro. Investimet fillimit kanë qenë më tepër se 30 milionë euro, kurse ne jemi një staf minimum diku rreth 19 persona, duke përfshirë edhe punëtorët e sigurimit fizik”, tha Gojani.“Sot diskutuam të gjitha sfidat me të cilat po ballafaqohemi. Biseduam për mirëmbajtjen dhe ruajtjen e aeroportit, e cila ka një kosto ndoshta jo të lartë për buxhetin e shtetit, mirëpo për neve është e rëndësishme që të sigurohet prej fillimit të vitit dhe gjatë gjithë vitit të mos kemi probleme financiare”.

“Diskutuam edhe për të ardhmen e aeroportit. Është me rëndësi që ministri ka angazhim ka synim që të na financojë së paku për shpenzimet operacionale për të gjeneruar dhe mirëmbajtur aeroportin”, shtoi kryeshefja Gojani.

Kreu i Ministrisë së Zhvillimit Ekonomikë, gjatë qëndrimit në Gjakovë, vizitoi dhe kompaninë rajonale të ujësjellësit “Gjakova”, ku premtoi 12 milionë euro investime për zgjerimin e këtij rrjeti dhe ndërrimin e gypave të vjetruar.