Gjakovë, fillojnë procedurat për ndërtimin e rrugës te varrezat në Çabrat

GjakovëPostuar: 15:03 / 20.04.2018

Bordi i Drejtorëve të Komunës së Gjakovës ka mbajtur sot mbledhjen e rregullt, në të cilën janë diskutuar një sërë pikash të rendit të ditës, e të cilat kryesisht kishin të bënin me përmirësimin e gjendjes së shërbimeve komunale, në të mirë të qytetarëve të komunës së Gjakovës.

Sipas kumtesës dërguar mediave, në këtë takim u bë e ditur edhe nisja e procedurave për ndërtimin e rrugës që dërgon deri tek varrezat e martirëve në Çabrat.

Me këtë rast, kryetari Gjini ka thënë se ky është një projekt shume i domosdoshëm, teksa ka shprehur bindjen e tij se kjo rrugë do të jetë e gatshme deri në fillim të vjeshtës së këtij viti.

Është diskutuar edhe për caktimin e një lokacioni për shitjen e druve dhe vendosjen e sharrëxhinjve. Pas disa propozimeve, është vendosur që të shikohet si opsion që për këtë qëllim të caktohet një lokacion në dalje të qytetit, prapa Urës së Tabakëve.