Gjakovë: Suspendohen 7 policë, ia thyen 3 brinjë qytetarit

GjakovëPostuar: 10:11 / 05.02.2021

Në qytetar në Gjakovë ka përfunduar në spital me tre brinjë të thyer për shkak se ndaj tij është përdorur dhunë nga policia, me arsyetimin se nuk i është bindur urdhrit për t’u ndalur, pasi që nuk kishte respektuar rregullat e komunikacionit.

Drejtori rajonal i policisë në Gjakovë, Lumni Graishta, tha për Gazetën Sinjali se ka suspenduar shtatë zyrtarë policorë të përshirë në këtë rast.“Lidhur me rastin e raportuar për ‘keqtrajtim gjatë detyrës zyrtare’, mund t’ua konfirmoj se si drejtor rajonal, kam suspenduar 7 zyrtarë policorë të involvuar në rast.

Tani, nuk mund të flas për përgjegjësinë e tyre individuale, ngase me rastin po merret IPK, si autoritet kompetent për zhvillimin e hetimeve, por suspendimin e tyre e kemi konsideruar si të domosdoshëm për zhvillimin pa pengesa të procedurës së mëtutjeshme hetimore”, tha Graishta.

Tutje, Graishta deklaroi se ai dhe menaxhmenti i policisë janë të përkushtuar dhe po bëjnë gjithçka, siç tha ai, për të “ruajtur imazhin e policisë dhe mbrojtur të drejtat dhe liritë e njeriut, si dhe besimin e qytetarëve në Policinë e Kosovës, si vlerë që na shoqëron që nga themelimi i forcës policore”.