Kusari-Lila: Insistimi i qytetarëve më shytri të kandidoj përsëri

GjakovëPostuar: 08:44 / 20.09.2017

Vetëm dy ditë na ndajnë nga fillimi i fushatës zyrtare për zgjedhjet komunale të 22 tetorit.

Mirëpo, edhe pse ende nuk ka nisur zyrtarisht fushata, kjo nuk i ka penguar partitë qe të fillojnë fushatën në teren.

Një nga komunat, e cila zgjon më së shumti interesim në zgjedhje është Gjakova.

Në këtë komunë pothuajse në të gjitha zgjedhjet gara ka qenë shumë e ngushtë dhe ngjashëm pritet të jetë edhe këtë vit.

Ish kryetarja e Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila, e cila la këtë post për postin e deputetes i ka hyrë sërish garës për kryetare të kësaj komune.

Madje, Kusari-Lila shprehet e bindur se do t’i marrë votat e nevojshme për të drejtuar Gjakovën.

 “Nuk kisha bo kategorizim të kandidatëve, veçse mendoj se janë shanset reale për me e fitu edhe një mandat në komunën e Gjakovës. A do të jetë në raund të parë apo të dytë nuk e di, nuk mund ta bëj këtë vlerësim, sepse ende nuk ka filluar zyrtarisht fushata që të shihen edhe trendet e partive tjera”, tha Kusari Lila për Indeksonline.

Ish kryetarja e Gjakovës theksoi se insistimi i qytetarëve të Gjakovës ka bërë që ajo të kandidojë përsëri për të parën e kësaj komune.

“Mendoj se ka qenë evidente insistimi i tyre për të garuar edhe njëherë për kryetare, kjo edhe ashtë arsyeja pse unë jam përsëri kandidatë për Gjakovën”, shtoi Kusari Lila.

Kusari Lila e fitoi Gjakovën për të parën herë në vitin 2014, ndërkaq që nga zgjedhjet e 11 qershorit ajo është deputete në Parlamentin e Kosovës.