Projekti DEMOS mbështet komunat e Kosovës në menaxhimin e mbeturinave

GjakovëPostuar: 15:15 / 26.07.2017

Alban Meka u tregua një qytetar aktiv dhe i përgjegjshëm kur dëgjoi se projekti DEMOS nisi një projekt ndërgjegjësimi mbi menaxhimin e mbeturinave në vendlindjen e tij, Gjakovën.

I frymëzuar dhe i motivuar për ta bërë qytetin e tij më të pastër, ky 43 vjeçar që me profesion është  mësimdhënës i artit figurativ  vendosi të heqë dorë nga Audi 80 e tij e dashur dhe ta dhurojë atë për hir të së mirës së përbashkët.

Makina e tij do të shndërrohet në një vepër të lëvizshme arti, pasi fillimisht do të mbulohet me mbeturina të riciklueshme dhe të bëjë paradë në rrugët e Gjakovës për të rritur ndërgjegjësimin mbi rëndësinë e mjedisit të pastër jetësor.

“Unë mendoj se ky është vetëm një hap i parë modest. Unë kam qenë vërtet i befasuar me numrin e madh të nxënësve të mi që donin të bashkohen në këtë projekt”, shpjegon Meka derisa ngjiste më shumë mbeturina në ulësen e pasme të makinës. Derisa kjo nuk është hera e parë që ai është i angazhuar në aktivitete të këtij lloji, Meka thekson se më shumë shkolla duhet të angazhojnë nxënësit dhe mësimdhënësit në  aktivitetet e ngritjes së ndërgjegjësimit. “Është shumë më mirë kur ju shërbeni në komunitetin tuaj, për një të mirë më të madhe”, thotë Meka.

Çdo vit, komunat në Kosovë shpenzojnë mijëra euro duke mbledhur mbeturina të hedhura në mënyrë të paligjshme, ose duke riparuar dëmet e shkaktuara si rezultat i vandalizmit në parqe dhe hapësira të tjera publike. Gjakova është një nga komunat e Kosovës që po përballet me probleme serioze në lidhje me këtë, ndër të tjera, hudhjen e mbeturinave dhe deponitë ilegale. Një pjesë e madhe e mbeturinave të krijuara përfundojnë në deponi ilegale. Megjithatë, Komuna e Gjakovës ka ndërmarrë hapa seriozë drejt menaxhimit të mbeturinave dhe mjedisit të pastër jetësor në përgjithësi. Përkrahur edhe nga projekti DEMOS, zyrtarët komunal thonë se këtë herë po i qasen çështjes së menaxhimit të mbeturinave në një mënyrë më profesionale.

Hana Zeka, zyrtare komunale në Komunën e Gjakovës thotë se komuna ka hartuar planin lokal për menaxhimin e mbeturinave, ndërsa është duke maksimizuar zbatimin e udhëzimit administrativ për gjobat e detyrueshme. Përveç kësaj, komuna mbështet shumë iniciativa rinore të kësaj natyre, shpjegon ajo. “Shumë organizata dhe rrjete rinore kanë organizuar aktivitete ndërgjegjësimi, ligjërata në shkolla dhe veprime të tjera të hapura për të promovuar mjedisin e pastër jetësor”, thotë Zeka.

Ajo theksoi rolin e projektit DEMOS në mbrojtjen e mjedisit urban dhe rural duke thënë se projekti zviceran vazhdimisht fuqizoi dhe përkrahu komunën jo vetëm në aktivitetet e ngritjes së vetëdijes.

Majlinda Jupolli nga ekipi DEMOS thotë se projekti zviceran aktualisht po zbaton ‘programin komunal për mbështetjen e zbatimit të ligjit’ në tri pilot komuna për të trajtuar problemet që lidhen me shërbimet komunale.

“Kjo nismë synon të ndryshojë sjelljet e njerëzve dhe t’i bëjë ata të vetëdijshëm se secili prej nesh ka përgjegjësi personale në mbrojtjen e pasurive tona publike dhe mbajtjen e hapësirave tona publike të pastra”, shpjegon Jupolli, duke shtuar se “zyrtarët komunal, policia, shoqëria civile, artistët lokalë janë mbledhur së bashku për të ndihmuar që të sjellin një ndryshim të qëndrueshëm”.

Duke folur për rrjetin televiziv lokal, Elida Bejtullahu, drejtoreshë e Urbanizmit në komunën e Gjakovës thotë se qytetarët duhet të mbrojnë pronën publike në të njëjtën mënyrë që ata mbrojnë dhe mirëmbajnë shtëpinë e tyre.

“Aktualisht me DEMOS-in ne jemi fokusuar në ngritjen e vetëdijes për menaxhimin e mbeturinave dhe në këtë kuptim ne po parashikojmë një përmirësim gradual”, thotë ajo. “Kjo është një betejë me dimensione estetike dhe higjienike, por ajo që është më e rëndësishme për ne është përgjegjësia publike në lidhje me mjedisin jetësor”.

Kjo fushatë vetëdijësuese përfshin instalacione të artit, panele informuese në hapësira publike dhe aktivitete pastrimi të cilat janë duke u zhvilluar aktualisht. Përveç komunës së Gjakovës, DEMOS po mbështet edhe Komunën e Lipjanit dhe Komunën e Shtimes për të trajtuar çështjet e vandalizmit të hapësirave të hapura publike përkatësisht të parkimit të paligjshëm.

Fushata gjithashtu përfshin sponzorizimin mediatik të videove që promovojnë hedhjen e mbeturinave siç duhet, parkimin në vendet e dedikuara të parkimit dhe mbrojtjen e aseteve publike dhe në të njëjtën kohë i vetëdijësojnë qytetarët  se do të vërehen shkelje, duke shkaktuar gjoba të mëdha.