Rajoni i Dukagjinit, më i godituri nga përmbytjet

GjakovëPostuar: 12:19 / 09.01.2021

Komunat e Rrafshit të Dukagjinit janë përballur sërish me vërshime.

Në Gjakovë lumenjtë janë fryrë, ka edhe toka bujqësore të dëmtuara dhe bodrumet të shtëpive të shumta janë mbushur me ujë. Në lagjen Piskotë, po nxirret uji nga bodrumet. Banorët e shtëpisë këtu afër nuk kanë pranuar të flasin pasi që ka disa vite që ndodh i njëjti fenomen dhe nuk kanë marrë përgjigje adekuate nga institucionet. Përveç dëmeve në ekonomitë familjare, uji ka shkaktuar dëme edhe në biznese, sikur në rastin e lokalit të Shpresa Hanës.

“Tash siç po e shini vërshimet janë të mëdha. Uji është futur, është mbi një metër. Ende nuk kemi mundur t'i hapim dyert që të hymë brenda e ta vlerësojmë dëmin. Por, përafërsisht dëmi siç shihet diku është 40 deri në 50 mijë euro”, ka deklaruar afaristja Shpresa Hana.

Brenda zonës urbane, Gjakovës rreziku i vjen kryesisht nga infrastruktura e dobët e kanalizimeve.

“Edhe në disa fshatra ka probleme me kanalizime. Në Rugovë ka probleme, te lumi Krena kemi probleme sepse edhe aty kemi përzierje të ujërave të shiut me ata fekale. Këto dëme komuna i sanon dhe do t’i ndihmojë qytetarëve. Kemi pasur deri 25 thirrje deri para një ore”, ka thënë Ardian Gjini – kryetar i Komunës së Gjakovës.

E në periferi, rreziku i vjen nga lumenjtë që rrezikojnë të dalin nga shtrati.

“Gjatë ditës së sotme ato nuk kanë dalë, mirëpo tendencat janë sepse janë në kuotat kritike edhe në çdo moment pritet edhe lumenjtë të dalin nga shtrati i tyre”, është shprehur Besim Meqa - Udhëheqësi i njësitit të emergjencave në Gjakovë.

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës kishte paralajmëruar vërshime për premten që nga 6 janari dhe ka parashikuar vazhdimin e tyre edhe më datën 9.

Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave e gatshme për intervenim

Të paktën 10 komuna të Kosovës po ballafaqohen me vërshime pas reshjeve të pandërprera të shiut e borës. Rrugët u bënë të pakalueshme, e nga zyrtarët komunalë thuhet se po punojnë në përmirësimin e gjendjes.

Ndërkaq, Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave thotë se do të intervenojnë nëse ka nevojë

Reshjet e pandërprera, kanë bërë që rrugët e shumë fshatrave të Suharekës të jenë të pakalueshme. Hiq më mirë gjendja nuk është as në komunën e Rahovecit, ku sipas zyrtarëve të saj janë të paktën 10 vendbanime që kanë pësuar nga përmbytjet.

Rritja e nivelit të ujit ka bërë që lumi Mirusha të del nga shtrati, e për pasojë vërshimet të prekin Malishevën, të premten.

Nënkryetari i kësaj komune, Hajdin Berisha, ka njoftuar se kanë mbajtur një takim urgjent me Këshillin e Drejtorëve, ku është raportuar për gjendjen nga reshjet atmosferike në Komunën e Malishevës. Sipas tij, do të intervenohet shumë shpejt për t’i bërë rrugët përsëri të kalueshme.

Përpos në këto komuna, edhe në Prishtinë pati bllokim të rrugëve për shkak të reshjeve, duke e vështirësuar kështu, qarkullimin e qytetarëve.

E përmes telefonit, nga Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave kanë thënë se nëse ka nevojë do të ndërhyjnë ata.

“Kapaciteti komunal duhet të aktivizohet së pari, siç janë zjarrfikësit. E në rast se ka nevojë, bëhet kërkesë që komunat të ndihmojnë njëra-tjetrën, mirëpo nëse nuk mund të jetë kjo zgjidhje, atëherë ndërhyn edhe AME-ja”, ka deklaruar Nehat Koqinaj nga kjo agjenci.

Nga AME-ja kanë treguar se komunat e prekura më shumë janë: Gjakova, Malisheva, Rahoveci, Suhareka, Drenasi, Skenderaj, disa fshatra në Pejë e Deçani me Junik.

Situata ka mobilizuar edhe kryeministrin në detyrë, Avdullah Hoti, që ka bërë të ditur se është duke u intervenuar sipas mundësive në terren, derisa ka bërë thirrje për qytetarët që të kufizojnë lëvizjet, në veçanti në disa lokacione ku ka pasur rrëshqitje të dheut e gurëve./Koha.net/