Shoshi tregon gjendjen e mjerueshme të varrezave në Meje

GjakovëPostuar: 10:52 / 08.09.2018

Flamuri i shtetit të Kosovës në gjysmë shtizë, mbeturina përreth, dhe mungesë totale e përkujdesjes, shihen në disa fotografi që dëshmojnë gjendjen e mjerueshme të varrezave të martirëve të Mejes, në Gjakovë.

Drejtori i Trashëgimisë Kulturore në Kosovë, Sali Shoshi ka postuar disa fotografi sot në mëngjes e ku shihet gjendja e mjerueshme e varrezave të 376 shqiptareve të masakruar, ndër ta edhe fëmijë të pafajshëm.

“Varrezat e Mejes të lëna pasdore, rrethina e tyre krejt e braktisur. Në Meje me 27 prill 1999 u vranë 376 shqiptarë, fëmijë dhe burra të pafajshëm të cilët të dëbuar nga shtëpitë e tyre dhe në rrugë për Shqipëri u ndanë nga familjet e tyre dhe u masakruan nga forcat serbe. Meja është Srebrenica e Kosovës. Këto varreza dhe ato viktima meritojnë më shumë respekt!”, ka shkruar Shoshi në postimin e tij në Facebook.

Masakra e Mejës konsiderohet ndër më masivet gjatë luftës së fundit në Kosovë.