Spitali i Gjakovës paguan më shtrenjtë qiranë për printerët sesa çmimi i blerjes

GjakovëPostuar: 14:06 / 13.11.2017

Spitali regjional i Gjakovës ka shpallur një njoftim për kontratë me të cilën parashihet të merren me qira 4 printerë.

Sipas njoftimit të publikuar më datën 8 të këtij muaji, spitali i Gjakovës po kërkon printer të formatit A3 dhe A4 me kapacitet 28 faqe dhe 25 faqe për minutë.

“Marrja me qira e një fotokopje me kapacitet 28 faqe për minutë A3,A4 (color). Në këtë çmim përfshihen edhe 10000 kopje – 2 copë”.

“Marrja me qira e një fotokopje me kapacitet 25 faqe për minutë A3,A4, Cmimi fix (në këtë çmim përfshihen 3000 kopje) – 2 copë”, thuhet në përshkrimin e fushëveprimit të kontratës.

Vlera e parashikuar e kësaj kontrate është 6 mijë euro, me kohëzgjatje prej 12 muajsh.

Me një kërkim në google, shitja e këtyre llojeve të printerëve/fotokopjeve në Kosovë, varion shumë më lirë sesa marrja me qira.

Një printer i këtij formati A3 dhe A4 me më shumë se 18 faqe për minutë, kushton rreth 500 euro.

Sipas përllogaritjes, me 6 mijë euro të parapara për marrjen e 4 printerëve me qira, spitali i Gjakovës do të mund të blinte 6 sosh.

Drejtori i spitalit, Ahmet Asllani, ka treguar se kjo është kontrata e dytë e këtij lloji në institucionin të cilin e drejton ai.

Asllani e arsyeton marrjen me qira të printerëve, me koston e mirëmbajtjes dhe shpenzimeve të tonerëve.

“Printerët në spitalin tonë përdoren shumë dhe na bie më lirë nëse i marrim me qira sepse nuk shpenzojmë në mirëmbajtjen e tyre. Është shumë më shtrenjtë me i ble dhe me i servisu kur ka prishje, sesa nëse i marrim me qira”, ka thënë Asllani.