Gjilani kërkon nga ATK-ja dhe Policia lirimin e hapësirave komunale

GjilanPostuar: 10:44 / 17.06.2019

Qeverisja komunale e Gjilanit është duke kërkuar nga institucionet e tjera që t’ia lirojnë hapësirat komunale, të cilat i shfrytëzojnë për nevoja të tyre, meqë Komuna tashmë ka bërë plane në ato hapësira të realizojë implementimin e projekteve zhvillimore, të cilat i ka paraparë me planin e saj.

Fjala është për lirimin e hapësirave, në qendër të qytetit, të cilat deri tashti janë shfrytëzuar nga institucione të nivelit qendror, siç janë: Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) dhe Policia e Kosovës, shkruan sot Koha Ditore.

Ndërsa Komuna ka planifikuar që të investojë një milion e 900 mijë euro në ndërtimin e objektit të ri, i cili do të shtrihet në qendër të qytetit.

Për realizimin e këtij projekti, pushteti komunal ka paraparë që fillimisht të bëjë rrënimin e objektit të Stacionit Policor në Gjilan dhe me lirimin e hapësirës komunale do të fillohet me ndërtimin e objektit të ri të Komunës.