Gjilani planifikon 25.5 milionë euro për vitin 2019

GjilanPostuar: 11:34 / 19.09.2018

Buxheti i Komunës së Gjilanit për vitin 2019 sipas qarkores buxhetore është planifikuar të jetë 25.508.785 euro.

Nga granti i qeverisë do të sigurohet shuma prej 21.042.901 euro, kurse pjesa tjetër prej 4.465.884 euro, nga të hyrat vetanake të komunës. Mbi 60% e këtij buxheti do të shpenzohet për paga, mbi 14% për mallra dhe shërbime, rreth 3% për shpenzime komunale, rreth 2.5% për subvencione, derisa pjesa tjetër prej afër 20% (mbi 5 milionë) për investime kapitale, shkruan InfoKomuna.

Komiteti për Politikë dhe Financa (KPF) ka shqyrtuar dhe rekomanduar për Kuvend Komunal propozim-buxhetin për vitin 2019 si dhe vlerësimet e hershme për vitet 2020-2021, propozim-planin rregullues për zonat “Qendra 2”, “Qendra 3” dhe “Lagja e Spitalit”, propozim-vendimin për emërimin e anëtarëve të Komisionit Komunal të Aksionarëve në Ndërmarrjet “Tregu”, Stacioni i Autobusëve si dhe kompaninë “Ecohigjiena”, për pjesën publike KRM “Higjiena”, propozim-vendimin për ndarjen e lokacionit për fushë sintetike për KF “Gjilani”, sikurse edhe rishikimin e vendimit për caktimin e anëtarëve në Komitetin për Komunitete, sipas udhëzimit të MAPL-së, informatën për fillimin e vitit të ri shkollor me kërkesën e opozitës që ajo të plotësohet edhe me raportin për përfundimin e vitit shkollor 2017/2018 si dhe raportin për korrje-shirje.

KPF i ka hequr nga rendi i ditës kërkesat e Radio-Gjilanit dhe OJQ “Soliteri” për mbështetje financiare, meqë  ekzistojnë procedura të tjera për ndarjen e subvencioneve. 

Debat më i gjerë për propozim-buxhetin do të zhvillohet në Kuvendin Komunal të Gjilanit. /InfoKomuna/