Gjilani shpërndan farë misri e pleh artificial për 500 fermerë

GjilanPostuar: 16:56 / 20.04.2018

Komuna e Gjilanit, përkatësisht Drejtoria e Bujqësisë, ka shpërndarë sot farë misri e pleh artificial për 558 fermerë, të cilët nuk kanë përfituar nga Ministria e Bujqësisë.

Në emër të kryetarit Lutfi Haziri, fermerët e Gjilanit i ka uruar Arbër Ismajli, i cili tha se ky është vetëm fillimi i subvencioneve për ta nga ana e Komunës.

“Me këto subvencione ne po ua lehtësojmë punën fermerëve jashtëzakonisht shumë. Synimi ynë është që asnjë pëllëmbë toke të mos mbetet pa e punuar sepse në këtë mënyrë forcohet familja bujqësore. Sivjet kemi paraparë rekord subvencionesh për fermerët”, tha Ismajli.

Ushtruesi i Detyrës së drejtorit të Bujqësisë,Vahid Aliu, ka njoftuar se 558 fermerët janë mbështetur me 600 thasë misër dhe mbi 50 tonë pleh artificial, vlera e të cilëve ka arritur në 27 mijë euro.

Ai njoftoi se gjatë muajve të ardhshëm do të implementohet projekti i subvencionimit të bletarëve me pajisje, ngritja e 20 hektarëve me kulturë të arrës, shpërndarja e farës së grurit e plehut artificial dhe projekte të tjera. /InfoKomuna/