Haziri: 2018-ta të jetë vit formal i themelimit të vërtetë të Ushtrisë së Kosovës

GjilanPostuar: 16:35 / 11.01.2018

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, me stafin e tij dhe me përfaqësues të familjeve të dëshmorëve, kanë vizituar Batalionin e Parë të Reagimit të Shpejtë në Gjilan, në shënim të 11 janarit, datë e cila shënon kryengritjen e madhe të viteve të ’80-ta.

“Jam sot me familjet e dëshmorëve, Rexhep Mala, Nuhi Berisha e Kadri Zeka në këtë vizitë te institucioni emblemë e ëndrrës së dëshmorëve. Natyrisht që familjarët sot janë krenarë dhe njëkohësisht edhe me zbrazëti të mëdha, por janë pikërisht ata që na kanë mësuar se si luftohet padrejtësia. Ajo periudhë përpos dhembjes së madhe që na jep, njëkohësisht na bënë shumë krenar për periudhën e pastër të angazhimit në rrugën e shenjtë të lirisë. Jam shumë krenar me këtë Batalion, me kazermën dhe me ushtrinë në përgjithësi, duke shpresuar që viti 2018, do të jetë vit formal i themelimit të vërtetë të Ushtrisë së Kosovës”, ka thënë kryetari Lutfi Haziri, gjatë vizitës. 

Berat Shala, komandant i batalionit të FSK-së në Gjilan, ka falënderuar kryetarin Haziri dhe familjet e dëshmorëve për vizitën, duke shtuar se është krenari që të jetë mikëpritës i familjeve emblematike, “por krenari shumë e madhe është kur kemi udhëheqësit e popullit të cilët na vizitojnë dhe interesohen për funksionimin dhe punën që e bëjmë”.
 
Fitore Malaj, ne emër të familjeve të dëshmorëve, ka thënë se ndjehet shumë krenare me Forcën e Sigurisë së Kosovës, duke thënë se vizita në Kazermë paraqet emocione të vecanta për ta.
 
“Për këtë ushtri që e kemi sot, është sakrifikuar babai im dhe mijëra dëshmorë të vendit”, tha Malaj. /InfoKomuna/