Haziri dhe drejtori i AKP-së flasin për problemet e pronave në Gjilan

GjilanPostuar: 14:04 / 25.06.2019

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka pritur sot në takim pune drejtorin ekzekutiv të Agjenicës Kosovare të Privatizimit (AKP), Valon Tolaj, me të cilin ka diskutuar për zgjidhjen e disa çështjeve që kanë mbetur të hapura, për të mirën e përgjithshme.

“Të gjitha çështjet që lidhen me interes publik të komunës së Gjilanit ne relacionin me AKP’në dhe direkt me zyrën e drejtorit, besoj shumë që do të arrijmë t’i zgjidhim, e që kanë të bëjnë me projekte zhvillimore, pastaj varrezat e qytetit, çerdhet dhe rrugët publike, por duke e respektuar ligjin. E falënderoj z. Tolaj për vizitën dhe gatishmërinë për bashkëpunim”, ka thënë kryetari Haziri pas takimit.

Drejtori i AKP-së, Valon Tolaj, e ka falënderuar kryetarin Haziri për pritjen, duke ofruar bashkëpunimin e plotë në zgjidhjen e kontesteve të deritanishme.

“Kemi ardhur në përfundim që e vetmja zgjidhje e problemeve, kontesteve dhe interesit publik, është koordinimi me komunat. Kryetarit Haziri i kam shprehur mbështetjen time si drejtor menaxhues i AKP, sikurse që i kërkova bashkëpunim në mënyrë që ta rrisim dinamikën e zgjidhjes së të gjitha kontesteve. Interesi i qytetarëve është mbi të gjithë ne dhe aty ku ka mundësi ligjore, të ecim përpara. Duhet ta shtojmë dinamikën dhe në kornizat ligjore t’i japim zgjidhje projekteve për interes publik”, theksoi Tolaj.

Haziri e Tolaj tha se këto konteste do të zgjidhjen, por pa e prekur asnjëherë interesin e punëtorëve. /InfoKomuna/