Hidromorava e Gjilanit shpallë gjendjen emergjente për furnizim me ujë

GjilanPostuar: 15:54 / 13.06.2019

Temperaturat që kanë kapluar vendin tonë tash e sa ditë ka ndikuar dukshëm në rënien e nivelit të ujit në ujëmbledhësin kryesor për qytetin e Gjilanit me rrethinë.

Kompania Rajonale e Ujësjellësit, Hidromorava janë deklaruar se niveli në pendën kryesore të furnizimit atë të Përlepnicës ka rënë dukshëm. Kryeshefi ekzekutiv i kësaj kompanie Muhamed Suliqi, sot për Express ka thënë se do ta shpallin gjendjen emergjente.

Penda e Perlepnicës apo siç njihet ndryshe edhe Liqeni i Përlepnicës është në nivel rekord të mungesës së ujit. KRU “Hidromorava” ka bërë të ditur se burimi kryesor Penda në Përlepnicë niveli i ujit është 16,70 m nga niveli 30,30 m, pra 13,60 m më poshtë nga kuota maksimale.

Kompania po ashtu ka njoftuar se 7 m e fundit të pendës nuk janë të shfrytëzueshme dhe kjo nënkupton se një sasi relativisht e vogël mbetet në shfrytëzim.

Ky ujëmbledhës furnizon 60% të qytetit dhe fshatrave të Gjilanit.

Kryeshefi ekzekutiv i Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit Hidromorava tha për Gazetën Express, se sot do të shpallet gjendja emergjente sa i përket furnizimit me ujë.

“Sot do të kemi një takim në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, ku do të diskutojmë për hapat që do të ndërmarrim sa i përket gjendjes në terren. Po ashtu do të mbajmë një takim edhe me Kryetarin e Gjilanit, Lutfi Hazirin ku do të shpallim gjendjen emergjente”

Ai tha se niveli i ujit në Liqenin e Përlepnicës është në nivel rekord të rënies.

“Penda e Përlepnicës që është burimi kryesori i furnizimit është dukshëm nën nivel nga kuota maksimale, kemi edhe fabrikën e ujit në fshatin Velekincë që furnizon 30% të qytetit e cila po funksionon siç duhet dhe kemi furnizim të rregullt me ujë” tha Suliqi

Kompania apelon qytetarët që të kursejnë ujin dhe mos ta keqpërdorin, përndryshe do të ndiqen penalisht.

“Punëtorët e kompanisë së bashku me Inspektoriatin Komunal nga Drejtoria e Shërbimeve të Komunës do të jenë në teren gjate gjithë kohës dhe kushdo që haset duke keqpërdorë ujin do të shkyqet nga rrjeti i ujësjellësit dhe lënda do të procedohet në Gjykatën Themelore Gjilan” kanë deklaruar Kompania Regjionale e Ujit “Hidromorava”.