Komuna e Gjilanit nis rrënimin e objekteve me rrezikshmëri të lartë

GjilanPostuar: 16:39 / 12.11.2018

Komuna e Gjilanit ka filluar sot largimin e mbetjeve ndërtimore nëpër qytet, të cilat prej kohësh kanë qenë një rrezik potencial për kalimtarët nëpër disa lagje dhe njëkohësisht ky aktivitet është duke u realizuar në fazën kur Gjilani po shënon hapa pozitiv të pastrimit të ambientit në përgjithësi me bashkëngjitje të të gjitha institucioneve lokale.

Në këto lokacione, përpos rrezikshmërisë nga degradimi i skajshëm i këtyre mbetjeve ndërtimore, vazhdimisht është bërë edhe hudhja e mbeturinave, kundërmim i rëndë dhe njëkohësisht kanosje e rrezikut-shembja e tyre për banorët për rreth.

Faton Bislimi, shef i kabinetit të kryetarit dhe Nevzad Rushiti e Bekim Bajrami, drejtor të drejtorive komunale, të cilët ishin në inspektimin e këtyre punimeve dhe përcjelljen e aktiviteteve për pastrimin e ambientit dhe largimin e deponive ilegale të cilat janë tashmë të evidentuara dhe po punohet me intensitet të lartë për bartjen e tyre në deponinë inerte.

“Në aktivitetin “Ta pastrojmë Gjilanin” që kryesohet nga kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri me pjesëmarrje edhe të të gjitha institucioneve, kompanive publike, vullnetarëve dhe operatorëve privat pretendohet që për dy javët e ardhshme të eliminohen deponitë e krijuara deri më tani në mbi 80 lokacione të hapësirës së Gjilanit”, kanë thënë ata.

Gjatë kësaj kohe në Gjilan me të gjithë akterët në këtë task-forcë do të bëhet edhe gjelbërimi i hapësirave publike me mbi 5 mijë drunj dekorativ, për të ndikuar kështu që krahas pastrimit të bëhet edhe gjelbrimi i hapësirave publike, oborreve të shkollave, institucioneve shëndetësore dhe rrugëve e parqeve të qytetit dhe fshatrave.