Komuna e MZhR-ja bashkërisht në realizim të projekteve për Gjilanin

GjilanPostuar: 15:43 / 15.01.2018

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka pritur sot në takim zëvendësministren e Zhvillimit Rajonal, Magbule Shkodra, të cilën e ka falënderuar për interesimin, kujdesin dhe mundësinë e bashkëpunimit.

Kryetari haziri theksoi pas takimit se kanë biseduar për fillimin e bashkëpunimit me këtë ministri, për realizimin e projekteve që janë shumë të nevojshme për qytetarët gjilanas.

"Ne përfundimisht kemi hyrë në kornizën e investimeve të mëdha kapitale, por këto investime duhet të absorbohen falë mbështetjes që sot e konfirmoi zëvendësministrja Shkodra, të cilën e falënderoj”, ka thënë Haziri.
 
Zëvendësministrja e Zhvillimit Rajonal, Magbule Shkodra, e ka falënderuar kryetarin Haziri për pritjen dhe gatishmërinë e bashkëpunimit në të mirë të qytetarëve të Gjilanit.
 
“Unë kam shprehur interesim dhe gatishmëri te kryetari për t’iu përgjigjur kërkesave për projekte të Gjilanit dhe Anamoravës. Komunat e këtij rajoni kanë nevoja të shumta dhe do të bëjmë përpjekje që ato që janë urgjente dhe në interes të publikut të adresohen në nivel qendror. Përveç tjerash, synojmë që përmes subvencioneve dhe grateve të mbështesim bizneset që janë në fillim dhe t’i stimulojmë të tjerët që të hapin biznese, duke krijuar kështu vende të reja pune", tha zëvendësministrja Shkodra. /InfoKomuna/