Gjobë 100 euro ndotësve të rrugëve me baltë dhe mbetje ndërtimi në Ferizaj

FerizajPostuar: 16:41 / 11.04.2019

Pakos së qeverisjes lokale për ruajtjen e mjedisit dhe mirëmbajtjen e ambienteve të përbashkëta i shtohet edhe një masë e re, zbatimin e së cilës do ta bëj Inspektorati i Komunës.

Fjala është për parandalimin e qarkullimit të mjeteve të rënda dhe të tjera, të cilët ndotin rrugët publike, duke dal pa pastruar mjetin transportues të punës nga vend-punishtet e ndryshme.

Ky fenomen i hasur kryesisht në zonat e ndërtimit të objekteve të larta kolektive në zonën urbane, ku rrugët janë të dëmtuara, të ndotura nga mbetje ndërtimi, baltë nga vend-punishtet dhe papastërti të tjera, tashmë do të ndëshkohet nga Inspektorati i Komunës, në zbatim të Udhëzimit Administrativ nr.06/2018 për Ndëshkimin me Gjoba Mandatore.

Gjoba e paraparë sipas legjislacionit në fuqi ndaj ndotësve për këtë fenomen është 100 euro.

Nga java e ardhshme, inspektorët e mjedisit do të dalin në terren që të vëzhgojnë nga afër zbatimin e kësaj mase, ndërsa për mosrespektimin e saj do të aplikohen gjoba mandatore.

Ridvan Berisha, koordinator i Inspektoratit të Komunës njofton se kjo masë është ndërmarr pas një analize që i është bërë këtij fenomeni, kur kihet parasysh se Ferizaj është qendra me vlugun më të lartë të ndërtimit në nivel vendi, andaj një masë e tillë është e domosdoshme për të garantuar nivelin e pastërtisë në rrugët publike.

Kujdesi ndaj mjedisit është detyrim i të gjithë qytetarëve, andaj në funksion të saj, Komuna e Ferizajt inkurajon qytetarët që të denoncojnë rastet e tilla në mënyrë që Inspektorati i Komunës të veproj mbi shkelësit e kësaj mase në dobi të mjedisit. /InfoKomuna/