Gjykimi i kryetarit të Komunës për furrën në pronën komunale

DragashPostuar: 13:05 / 09.09.2017

Dy të akuzuar u morën në pyetje në gjykimin e kryetarit të Dragashit Salim Jenuzi për keqpërdorim detyre.

Të akuzuarit Vetim Hasani dhe Nexhat Selaj u morën në pyetje në gjykimin ku bashkë me kryetarin e Dragashit Selim Jenuzi dhe drejtorin e Urbanizmit të kësaj komune Behan Haxhihasani akuzohen në lidhje me lejimin e ndërtimit të një furre në pronën shoqërore.

Në këtë proces gjyqësor Jenuzi, Haxhihasani e Hasani akuzohen për keqpërdorim detyre, ndërsa Selaj që ndërtoi objektin ngarkohet për uzurpim të paligjshëm të pronës shoqërore.

Inspektori komunal i ndërtimtarisë në Dragash Vetim Hasani tha para trupit gjykues se investitori nuk i është përmbajtur lejes për ndërtim.

I akuzuari Hasani pastaj u pyet nga prokurori se kur e ka konstatuar shkeljen a ka ndërmarrë ndonjë veprim për eliminimin e parregullsive të konstatuara.

“Po është urdhëruar pala që t’i përmbahet projektit dhe lejes për ndërtim dhe për atë edhe janë ndërprerë disa herë punimet, pasi që investitori ka dalë jashtë projektit”, u përgjigj Hasani.

Ai deklaroi në gjykatë se më vonë e ka kuptuar se prona ku u tejkalua leja e ndërtimit ishte e Komunës së Dragashit.

Hasanin aktakuza e ngarkon se me dashje nuk i ka kryer detyrat e domosdoshme të përcaktuara me ligj, pasi nuk ka ndërmarrë veprimet për ndërprerjen, ndalimin dhe ekzekutimin e punimeve në objektin e ndërtuar nga i akuzuari Nexhat Selaj, duke lejuar përfundimin e ndërtimit të objektit dykatësh.

Edhe i akuzuari Nexhat Selaj e pranoi se e bëri paligjshëm zgjerimin e objektit.

“Përpos që gjithçka ka qenë në rregull, parregullsia ka qenë që kam bërë zgjerim të vogël në objekt”, tha Sela.

Ai më pas deklaroi se ka kërkuar leje për zgjerimin që po bënte, duke treguar se nuk i ka ndërprerë punimet.

Sipas aktakuzës, kryetari Salim Jenuzi prej vitit 2009 deri në vitin 2016 në Dragash me qëllim të fitimit të dobisë pasurore për tjetrin dhe shkaktimin e dëmit Komunës, duke përdorur pozitën e tij si kryetar i ka mundësuar pronarit të furrës “Evropa”, Nexhat Selajt, përvetësimin e kësaj patundshmërie.

Selaj me këtë rast kishte ndërtuar objektin afarist dykatësh pa kompensim dhe pa vendim të Asamblesë Komunale në Dragash.

Ndërsa drejtori i Urbanizmit, Behan Haxhihasani, në vitin 2011 fillimisht kishte lëshuar aktvendim me të cilin Nexhat Selajt i lejohet ndërtimi i objektit afarist në pronën shoqërore të evidentuar në emër të Komunës së Dragashit.

Ndërsa më vonë, po gjatë këtij viti Haxhihasani kishte lëshuar aktvendim me të cilin vërtetohet se Nexhat Selaj ka bërë uzurpimin arbitrar të tokës në pronë shoqërore, e evidentuar si pronë e Komunës së Dragashit.

Salim Jenuzi vite më parë ishte akuzuar për një rast tjetër të keqpërdorimit të detyrës zyrtare, por në janar të vitit të kaluar u shpall i pafajshëm nga Gjykata Themelore në Prizren.