Komuna e Drenasit ia rrënon objektin nënkryetarit të Nismës

GllogocPostuar: 21:01 / 04.05.2018

Një objekt me disa lokale dhe shtëpi banimi ka filluar sot të rrënohet në Komoran me vendim të komunës se Drenasit.

Mirëpo, pronari i këtij objekti, Naim Gjoshi, është ankuar në KALLXO.com se rrënimi i objektit nga komuna po bëhet për hakmarrje politike.

Sipas Gjoshit, rrënimi i shtëpisë dhe lokaleve të tij po ndodh vetëm pse është nënkryetar i degës se Nismës Socialdemokrate në Drenas.

“Këtu shihet papërgjegjësia e  institucioneve të Drenasit,këtu shihet kryeneçësia e kryetarit dhe drejtorëve të drejtorive në Drenas, të cilët nuk punojnë për popullatën,por për interesat e veta personale. Thjesht, është hakmarrje politike”, u ankua Gjoshi.

Në terren bashkë me inspektorët e ndërtimit kishte dalë edhe drejtoresha e inspektoratit, Aurora Berisha, siç tha, për përkrahje morale për kolegët e saj.
Sipas drejtoreshës Berisha,objekti ka qenë i ndërtuar në hapësirën publike dhe i njëjti ka penguar realizimin e projektit rrugor.

“S’ka të bëjë aspak me hakmarrje politike, ne as nuk e njohim personalisht personin, e as nuk e dimë çfarë përfaqësie politike ka.  Megjithatë, këtu ka qenë një projekt që do realizohet. Këto lokale dhe kjo shtëpi kanë qenë të ndërtuara në hapësirën publike, gjë që pengojnë ketë projekt. Për këtë arsye ne i kemi marrë gjithë hapat ligjorë”, tha drejtoresha Berisha për KALLXO.com.

Në anë tjetër, pronari i objekti, Naim Gjoshi, thotë se pronën e kishte blerë në vitin 1966, kurse në vitin 2005 e kishte kuptuar që një pjesë e objektit gjendet në hapësirë publike.

Por ai insiston se rrënimi po bëhet për hakmarrje politike, sepse objekti nuk e ka cenuar realizmin e projektit të rrugës.

“Nga inspektorati rrënimi është bërë me arsye se pengon rrugën, çka nuk qëndron se pengohet rruga, sepse rruga nuk pengohet. Gjerësia e rrugës është 6 metra e 50 centimetra,sipas projektit ekzekutiv dhe në të dy anët e duhet të ndërtohet trotuare,çka shtëpia ime nuk e pengon ndërtimin e trotuareve”, tha Gjoshi.

Ai tha se pas rrënimit të shtëpisë, duhet të marrë shtëpi me qira për të jetuar.