Kryetari Lladrovci takon bashkatdhetarët nga Drenasi

GllogocPostuar: 16:30 / 29.12.2017

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci ka mbajtur takim me bashkatdhetarët e Komunës së Drenasit dhe ka vlerësuar se mërgimtarët janë shtyllë e zhvillimit ekonomik të Drenasit.

Me rastin e festave të fundvitit, ardhja e bashkatdhetarëve nga diaspora në Drenas është shumë e mirëpritur. Me këtë rast kryetari i Komunës, Ramiz Lladrovci ka organizuar për herë të tretë takim me bashkatdhetarë, duke i inkurajuar në takim për të qenë sa më afër sepse ata janë burim i mirëqenies së shumë familjeve në Drenas.

"Duke kujtuar diasporën që dha gjithçka për lirinë e Kosovës, kujtojmë me krenari sakrificën tuaj të djeshme, por gjithashtu ju falënderojmë edhe sot për kontributin tuaj në mënyra të ndryshme që bëni për qytetarët tanë. I falënderoj sinqerisht edhe bashkëatdhetarët që kanë ndihmuar Komunën e Drenasit duke dhuruar autoambulanca”, theksoi kryetari Ramiz Lladrovci.

Ai me tej theksoi se i duhet edhe mbështetja e diasporës për një zhvillim më të madh ekonomik, jo vetëm në Parkun e Biznesit, por edhe investime në bizneset familjare të vogla dhe të mesme që janë baza e zhvillimit të çdo shteti.

"Ju ftoj të investoni, sepse investimet tuaja do të jenë shtytje e re e zhvillimit të Drenasit. Do të krijoj të gjitha lehtësirat e mundshme që i takojnë pushtetit lokal për investimet tuaja, por edhe idetë tuaja për zhvillimin e komunës tonë i mirëpres me seriozitetin më të madh. Qëllimi ynë është të krijojmë vende të reja të punës për qytetarët tanë”.

Gjithashtu kryetari Lladrovci përmendi edhe takimet zyrtare që i zhvilloi në Finlandë, Austri e Turqi me kryetar të komunave atje, biznesmen e bashkëatdhetar që jetojnë dhe veprojnë atje, si dhe bashkëpunimet me ta.

Takimi me bashkatdhetarë ishte tejet përmbajtjesor, ku kryetari Lladrovci i falënderoi të pranishmit si dhe bashkëatdhetarët që jetojnë e punojnë jashtë vendit.

Ata shprehën falënderimin dhe mirëpriten këtë takim duke dhënë ide, vërejtje dhe sugjerime për komunën.

Kujtojmë se Kryetari Lladrovci fton dhe takon bashkëatdhetarët për herë të tretë brenda vitit 2017.

/InfoKomuna/