Përfundon ndarja e 600 pakove për familjet në nevojë në Drenas

GllogocPostuar: 16:59 / 02.04.2020

Ka përfunduar me sukses ndarja e 600 pakove në të gjitha vendbanimet e Komunës së Drenasit. Këto pako janë siguruar nga buxheti i komunës nga kategoria e subvencioneve të Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale.

Lista e përfituesve të kësaj ndihme, janë përzgjedhur nga administratorët e vendbanimeve, pasi që ata e dinë më së miri se cilat familje kanë nevojë për ndihmë në këtë situatë emergjente.

Kujtojmë që deri më tani Komuna e Drenasit në bashkëpunim edhe me donatorë ka ndarë mbi 1000 pako ushqimore e higjienike.

Edhe Kryqi i Kuq, dega në Drenas, ka vazhduar ndarjen e pakove higjienike. Sot ka ndarë 30 pako higjienike, në Drenasin I dhe II, donacion nga Federata Ndërkombëtare e Kryqit të Kuq, po ashtu ka vazhduar ndarjen e pakove higjienike në vendbanime të 250 pakove, donacion nga UNICEF.

Ditë me parë, Komuna ka ndarë 200 pako ushqimore, donacion nga Elkos Group dhe Devolli Group, 50 pako ushqimore nga Jetimat e Ballkanit për familjet e banimit social në Drenasin III.

Të gjitha listat e përfituesve do të bëhen publike, për të evituar secilin përfitues në mënyrë që një familje të mos jetë përfituese më shumë se një herë, pa përfunduar furnizimi me të gjitha familjet ne nevojë.

Prandaj, lusim të gjithë administratorët e vendbanimeve, të mos i fusin në listat e përfituesve ato familje të cilat kanë qenë përfituese njërën nga pakot e ndara, qoftë nga pakot e Komunës, apo nga donatorët. /InfoKomuna/