Vërshime në disa zona në Drenas, kërkohet kujdes i shtuar

GllogocPostuar: 11:23 / 11.01.2021

Komuna e Drenasit, njofton të gjithë qytetarët se pas vazhdimit të reshjeve të dendura të shiut, disa rrugë, sidomos mbi ura, janë bërë të pakalueshme, ndaj kërkojmë nga qytetarët që të kenë kujdes dhe të evitojnë ato pjesë ku ka rrezik.

Rruga rajonale Drenas-Obiliq, te lagjja “Morina” në Çikatovë të Vjetër në drejtim të vendit Guri i plakës është e bllokuar nga uji, ndaj lusim qytetarët që t’i shmangen kësaj rruge dhe të përdorin rrugë të tjera alternative.

Po ashtu edhe rruga rajonale Drenas-Prishtinë, përkatësisht afër trafostacionit të KEDS-it, rruga është përkohësisht e bllokuar, e po ashtu edhe shtëpitë e banimit janë përmbytura nga uji.

Kryetari i komunës, Ramiz Lladrovci, u bën thirrje qytetarëve që të shmangin daljet pa nevojë dhe t’u shmangen rreziqeve në rrugët ku vërshimet janë me të dendura. Lladrovci ka kërkuar nga qytetarët të kenë mirëkuptim e bashkëpunim, për të tejkaluar këtë gjendje të krijuar nga vërshimet, e cila nuk mbahet mend të ketë pasur reshje me vëllim me të madh ndonjë herë.

Kryetari Lladrovci dhe Drejtoria e Shërbimeve Publike dhe Emergjenca, njoftojnë të gjitha ato familje, të cilat si pasojë e reshjeve të shiut, shtëpitë e tyre janë bërë përkohësisht të pabanueshme dhe nuk kanë zgjidhje të strehimit te të afërmit e tyre, të lajmërojnë Komunën e Drenasit, përkatësisht në numrin 049 978 948.

Me shpresën që kjo gjendje të tejkalohet, Komuna e Drenasit falënderon për mirëkuptimin!/InfoKomuna/