Graçanica me rreth 300 mijë euro pagesa të dhunshme

GraçanicëPostuar: 10:24 / 21.03.2019

Komuna e vogël e Graçanicës ka bërë goxha pagesa të detyrueshme gjatë vitit 2018. Janë 291 mijë e 971 euro që kjo komunë i ka harxhuar për 12 operatorë ekonomikë nga vendimet gjyqësore.

Natyra e këtyre kontratave janë pothuajse të gjitha furnizim. Por janë edhe dy raste që zyrtarët komunalë nuk i kanë shlyer as borxhet e shpenzimeve komunale ndaj kompanive publike, siç është uji e mbeturinat, për të cilat është dashur vendim gjyqësor që t’i paguhen 79.829.02 euro kompanisë “Pastrimi” (për mbeturina) dhe 21.133.04 euro për ujë kompanisë rajonale të ujësjellësit (KRU) “Prishtina”.

Në raportin financiar të vitit të kaluar të kësaj komune që udhëhiqet nga serbët thuhet se në vitin 2018 janë kryer edhe këto pagesa të detyrueshme, si servisimi i automjeteve në shumën prej 25,095.97 eurosh operatorit ekonomik (OE) “AGS”; furnizim me ushqim dhe pije dhe mjete për higjienë në shumën prej 9.132.78 eurosh OE “Dobrotin”.

Komunarët nuk kanë paguar as për furnizim me reagensë. Është dashur vendimi gjyqësor që në dy raste të paguhen 7.110.02 euro për operatorin ekonomik “AQ Medical” dhe 7.943.38 euro OE “Keis”. /Koha Ditore/