Komuna e Graçanicës, 100 mijë euro për tri autoambulanca

GraçanicëPostuar: 11:01 / 10.09.2016

Komuna e Graçanicës ka shpallur tender për furnizim me tri autoambulanca e ku për këtë qëllim ka paraparë një buxhet prej 100 mijë eurosh.

Hapja e tenderëve për këtë proces prokurimi do të bëhet më 28 shtator të këtij viti

Komuna Graçanicës do t’i shpenzojë 100 mijë euro për furnizim me tri autoambulanca. Para tre ditësh Zyra e Prokurimit e kësaj Komune, ka publikuar në Komisionin Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP) njoftimin për shpallje të tenderit për furnizim me autoambulanca.

Në njoftimin e publikuar në uebfaqe të KRPP-së thuhet se operatori ekonomik (OE) që dëshiron të jetë pjesë e këtij procesi të prokurimit duhet t’i përmbushë kërkesat mbi përshtatshmërinë në pajtim me Ligjin Nr. 04/L-042, Neni 65.

Zyra e Prokurimit ka kërkuar nga OE një dokument nga Administrata Tatimore e vendit të themelimit të kompanisë, e cila dëshmon se kompania nuk është në vonesë për pagimin e tatimeve së paku deri në tremujorin e fundit para datës së publikimit të njoftimit të kontratës, si dhe një dokument i lëshuar nga gjykata kompetente që vërteton se operatori ekonomik i përmbush “kërkesat e përshtatshmërisë”, shkruan gazeta ‘Zeri’.

Ky dokument duhet të jetë i lëshuar së paku deri në tremujorin e fundit para datës së publikimit të njoftimit të kontratës.