Hani Elezit zgjidh problemin e menaxhimit të ujit

Hani i ElezitPostuar: 09:16 / 09.09.2018

Kryetari i Hanit të Elezit, Refki Suma, e ka quajtur të paarsyeshme vonesën e nivelit qendror për dhënien e kompetencave komunës për menaxhim të ujërave.

Në një prononcim për Ekonomia Online, Suma tha se vonesa prej 8 vitesh ka qenë krejtësisht e panevojshme dhe e paarsyeshme.

Ai bëri të ditur se tashmë janë bërë hapa drejt marrjes së këtyre kompetencave dhe se është gati të formohet nënkompania e kompanisë regjionale “Bifurkacioni”, e cila do të menaxhojë me ujërat e kësaj komune.

“Unë nuk besoj që ka pasë arsye të vonohet më shumë se 8 vite, për shkak se kushtet dhe Hani i Elezit është pajtuar që kompania ta marrë përsipër menaxhimin e ujit. Pikërisht mosmenaxhimi me ujë ka pasë problem për shkak se nuk kanë pasur ujë, përkundër asaj që kemi lumenj e procka shumë. Megjithatë takimet dhe kërkesat tona kanë qenë të vazhdueshme. Kemi pasë takime mujore gati me task forcën e ujërave të zyrës së kryeministrit, kompaninë e Bifurkacionit dhe CDI-në zvicerane. Tani kohëve të fundit përmes CDI-së zvicerane dhe Bifurkacionit janë bërë përgatitjet e fundit që më në fund të formohet nënkompania e kompanisë regjionale të bifurkacionit në Han të Elezit”, tha ai.

Ai ka shprehur zotimin e komunës që të ofrojë të gjitha kushtet që sa më herët të fillojë puna, derisa ka njoftuar se brenda dy muajve do të fillojë faturimi i shpenzimeve të ujit.

“Javën që kaloi kemi pasur një takim në zyrën time në Han të Elezit me kryeshefin ekzekutiv të Bifurkacionit, ku ata kanë kërkuar kushte që Bifurkacioni të veprojë në Han të Elezit. Ne jemi zotuar që t’i ofrojmë të gjitha ato kapacitete që kërkohen prej nesh, do t’i ofrojmë zyrën me të gjitha pajisjet e domosdoshme, në mënyrë që kompania të fillojë punën. Jemi dakorduar që brenda një muaji apo dy muajve të fillojmë me faturimin e shpenzimeve të ujit, për shkak se janë vendosur orëmatësit në një pjesë të Hanit të Elezit dhe tani gjithçka është gati që të fillohet me pagesën e ujit”, tha ai.

Suma ka përmendur edhe problemin e moslargimit të azbestit, ku ka sqaruar se Ministria e Mjedisit ia ka ndërprerë kontratën një kompanie kontraktuese për shkak të moskryerjes së punëve sipas kontratës.

“Edhe këtu ka qenë një projekt i cili është ndërpre nga ministria e Mjedisit. Ndërkaq tash, sipas informatave që i kemi nga ta, thuhet se Ministria e Mjedisit ia ka ndërprerë kontratën kompanisë kontraktuese, për shkak të neglizhencës apo për shkak të moskryerjes së punëve sipas kontratës”.

Ai ka njoftuar se Ministria e Mjedisit i ka ndarë 50 mijë euro të cilat do të investohen në përmirësimin e një fushe të futbollit.

“Tani kemi bërë një marrëveshje mirëkuptimi me Ministrinë e Mjedisit në mënyrë që për këtë vit 50 mijë euro ministria e mjedisit i ka bart tek komuna e Hanit të Elezit në mënyrë që ne të vazhdojmë me punët dhe janë zotuar që vitin tjetër do të ndajnë mjete në mënyrë që projekti të përfundoj. Ne kemi menduar që me këto mjete ta përmirësojmë gjendjen e fushës së futbollit për shkak se është dëmtuar në tërësi një fushë e futbollit dhe mendojmë që me këto mjete dhe premtimin që ka bërë ministria e Kulturës dhe Sportit dhe Federata e Futbollit këtë vit do ta fillojnë ndërtimin e stadionit dhe nëse eventualisht nuk përfundon këtë vit atëherë me mjete që do të ndahen edhe nga komuna edhe nga akterët që i përmenda, vitin tjetër do ta përfundojmë këtë çështje”.

/InfoKomuna/