Hani i Elezit përmbylli procesin e konsultimit të dytë buxhetor

Hani i ElezitPostuar: 11:46 / 02.09.2019

Javën e kaluar komuna e Hanit të Elezit përmbylli procesin e debateve publike me qëllim të përfshirjes së qytetarëve në proceset e vendimmarrjes, siç është Projekt-Buxheti për vitin 2020 dhe parashikimet për vitet 2021-2022.

Në gjashtë takime publike me banorët e fshatrave, Lagjeve dhe vendbanimeve të Komunës së Hanit të Elezit pjesëmarrësve iu prezentuan planifikimet e komunës për vitet në vijim.

Nënkryetari i komunës Mallzum Qajani i njoftoi me disa nga aktivitetet kryesore gjatë vitit 2019 prej të cilave veçoi.

• MAPL, Komuna përfitoi grant nga Performanca e komunave gjatë vitit 2018 në lartësi prej 60.000 € per projektin “Ndertimi i rrugës së Vërtomicës”;

• MAPL-DEMOS për bashkëfinancimin e projektit “Ndërtimi (Rihapja, zgjerimi) dhe asfaltimi i rrugëve lokale në Han të Elezit” participoi me 48.430 €, për projektin “Ndërtimi i rrugës Ramuk –Kashan;

• FFK për rregullimin e fushës futbollit KF “Sharri” participoi me 40.000 €;

• MKRS për rregullimin e fushës së futbollit të KF “Sharri” participoi me 50.000 €;

• MMPH, për financimin e projektit “Pastrimi i Profileve kritike-emergjente të Lumenjve për mirëmbajtje të kapacitetit bartës të ujërrjedhave” në Komunën e Hanit të Elezit participoi me 30.000 €, per projektin te Lagja e re;

• MZHR për rregullimin e sallës së sporteve në fshatin Paldenicë participoi me 70.000 €;

• Në bashkëpunim me USAID-HELP u çertifikuan 11 përfitues të granteve për projekte në vlerë prej 36,000, ku komuna participoi me 7,000 €;

• Zyra ndërlidhëse nga Qeveria Japoneze në Kosovë, nënshkruan "Marrëveshje Bashkëpunimi" për blerjen e një kamioni për mbeturina, i cili do të shfrytëzohet nga Kompania për menaxhimin e mbeturinave “Pastrimi”, 61,015 €;

• Fondacioni Trashëgimia Kulturore pa Kufij (CHwB Kosovo) participoi për meremetimin e objekteve të trashigimisë kulturore shumën prej 16.000 €;

• Shoqata "Islamic Relief" për Shqipëri dhe Kosovë participon 35.000 në shtimin e personelit pranë QKMF;

• SH.B “Jetimat e ballkanit” bëri ndërtimin e 5 shtëpive për familjet që kanë nevojë, komuna participoi me 5,000 €, per shtepi nga 1,000 €.

Ndërsa Drejtori për puxhet dhe financa para pjesmarrësve prezentoi planifikimet buxhetore.
Sipas tij bazuar në qarkoren buxhetore 2020/01 dhe 2020/02 janë përcaktuar kufijtë e buxhetit sipas granteve buxhetore dhe burimeve të financimit. Buxheti për vitin fiskal 2020 do të jetë në shumë prej 2,742,095 €, ndërsa parashikimet për vitin 2021 do të jenë në shumë prej 2,846,397 €, si dhe për vitin 2022 do të jenë në shumë prej 2,958,963 €.

Bazuar sipas burimit të financimit buxheti ndahet sipas financimeve qeveritare ( ku përfshihet granti i përgjithshëm, granti i arsimit dhe i shëndetësisë)dhe nga të hyrat vetanake.

Granti i Përgjithshëm do të mbuloje 1,126,829 € apo 41.09% e buxhetit, pastaj granti i arsimit do të mbuloje 985,557 € apo 35.94%, granti i shëndetësisë do të mbuloje 311,844 € apo 11.37% e buxhetit, ndërsa të hyrat vetanake do të mbulojne 317,865 € apo 11.59% e buxhetit.

Sipas kategorive ekonomike buxheti për paga dhe mëditje do të jetë në shumë prej 1,687,983 € apo 61.56%, për mallra dhe shërbime në shumë prej 303,236 € apo 11.06%, për shpenzime komunale në shumë prej 60,000 € apo 2.19%, për subvencione dhe transfere 61,104 € apo 2.23% dhe për kategorinë investime kapitale kufiri do të jetë në shumë prej 629,772 € apo 22.97%.

Krahasuar me vitin 2019, rritje të buxhetit për vitin 2020 do të kemi në kategorine paga dhe mëditje për arsye të miratimit të ligjit të pagave në sektorin publik, pastaj edhe në kategorinë mallra dhe shërbime dhe shpenzime komunale për shërbime më të mira dhe mirëqenie të qytetarëve.

Ndërsa nga pjesëmarrësit në këto takime konsultative u pranuan shumë propozime konkrete, prej të cilave dominojnë problemet me furnizim me ujë, problemet me rrjetin e energjisë elektrike si dhe kërkesa pë infrastrukturë publike.

E veçanta e këtyre takimeve konsultative ishte që janë gjithnjë e më shumë ka kërkesa për fusha sporti, hapësira të gjelbëra dhe vende rekreative e për të cilat kishte edhe propozime konkrete. /InfoKomuna/