KFOR-i turk përkrah arsimin në Hanin e Elezit

Hani i ElezitPostuar: 17:00 / 27.12.2017

Shkolla Fillore e Mesme e Ulët “Ilaz Thaçi” nga Hani i Elezit është përfituese e Laboratorit të Kimisë dhe Fizikës, donacion i Kontingjentit të KFOR-it Turk në Kosovë.

Ky laborator shumë i nevojshëm për këtë institucion shkollor po realizohet falë bashkëpunimit shumë të mirë të Komunës së Hanit të Elezit me Kontingjentin e KFOR-it Turk, transmeton InfoKomuna.

Në përurimin e këtij laboratori ishin prezent Kryetari i Komunës Rufki Suma, zv.komandanti i Kontingjentit Turk Avdurrahim Manti, përfaqësues të shkollës dhe nxënës. Vlera e projektit të realizuar është 6070 euro.

Kryetari i Komunës Rufki Suma në emër të banorëve të Komunës së Hanit të Elezit dhe nxënësve përfitues, falënderoi kontingjentin e KFOR-it turk dhe popullin e Turqisë për përkrahjen dhënë Kosovës e në veçanti ndihmën e dhënë Komunës së Hanit të Elezit në shumë projekte të realizuara.