Komuna e Hanit të Elezit nis procesin e krijimit të Hartave Zonale

Hani i ElezitPostuar: 15:43 / 07.05.2018

Bazuar nga obligimet që rrjedhin nga Ligji për Planifikim Hapësinor dhe me qëllim të sigurimit të zhvillimit të qëndrueshëm dhe të baraspeshuar të planifikimit hapësinor për tërë territorin e Komunës, shfrytëzimit të përshtatshëm të tokës, mbrojtjes së mjedisit dhe trashëgimisë kulturore dhe natyrore, Komuna e Hanit të Elezit sot ka mbajtur takimin e parë përgatitorë për fillimin e procesit të krijimit të Hartave Zonale të kësaj komune.

Në takim ishin prezent kryetari i Komunës Rufki Suma, nënkryetari Mallzum Qajani, Drejtorët e Drejtorive përkatëse të Komunës si dhe zyrtarë komunal të cilët mund të kontribuojnë në këtë projekt.

Në hapje të takimit Kryetari Suma tha se komuna e Hanit të Elezit po fillon me procesin e hartimit të dokumenteve planore në nivel lokal me theks te veçantë Harta Zonale e Komunës.
Ai tha se që ky proces të jetë i suksesshëm duhet dhe procesi i rivlerësimit të Planit Zhvillimor Komunal.

Ky proces i rivlerësimit do të ndihmojë edhe me hartimin e Hartës Zonale.

Ndërsa Drejtori i DUKMM-së Nexhmedin Daci tha se për të realizuar një dokument me rëndësi të veçantë si Planin Zhvillimor Komunal dhe Harta Zonale e Komunës do të mbështetemi në kapacitete e komunës por që në këtë proces është angazhuar edhe Sami Stagova në cilësi të konsulentit bashkëpunëtorë si dhe do të konsultohemi në të gjitha fazat me ministrit përkatëse si dhe donatorët potencial për të cilat komuna e Hanit të Elezit ka nevojë.

Bashkëpunëtori profesional i angazhuar nga Komuna e Hanit të Elezit, Sami Stagova, duke iu referuar përvojave në hartimin e Planit Zhvillimor Komunal tha se komuna e Hanit të Elezit ka një bazë të mirë për të hyrë në procesin e rivlerësimit të këtij plani pasi që shumë objektiva nga ai dokument janë realizuar dhe se realiteti i ri në komunë ofron mundësi që ky plan të pasurohet me objektiva të reja.

Sipas tij ky proces është i gjatë, mirëpo është i domosdoshëm dhe rëndësishëm pasi që do të ofroj të dhëna për zonat bujqësore që do të përcaktohen në planin zhvillimor komunal, për zonat ndërtimore, për zonat e gjelbra ku duhet të përcaktojmë pyjet, hartën hidrografike , lumenjtë si dhe zonat e mbrojtura.

Po ashtu duhet që me planin zhvillimor komunal të përcaktojmë prioritete e infrastrukturës së komunës tonë për tetë vitet e ardhshme, si kanalizimet, ujësjellës dhe shumë elemente të tjera të infrastrukturës. /InfoKomuna/