Komunat duhet t'i shfrytëzojnë kapacitetet e diplomacisë ekonomike

Hani i ElezitPostuar: 13:53 / 12.09.2018

Kryetari i komunës së Hanit të Elezit, Rufki Suma, priti në takim pune Zëvendësministrin e Ministrisë së Punëve të Jashtme, Besnik Hoti i shoqëruar nga Drejtori për Diplomaci Ekonomike, Guner Ureya dhe Zyrtari i lartë në DDE, Blerim Bajramaj.

Zëvendësministri i Ministrisë së Punëve të Jashtme, Besnik Hot e njoftoi kryetarin Suma se qëllimi i vizitës është për t’i prezantuar mundësitë për promovimin e komunave përmes diplomacisë ekonomike të Republikës së Kosovës.

Ai tha se Ministria e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës së bashku me të gjitha misionet janë në dispozicion edhe për të bërë promovimin e komunave, sidomos për promovimin e mundësive për investime në këto komuna.

Sipas Hotit, 38 pika të botës janë funksionale misionet diplomatike dhe konsullore të Republikës së Kosovës, dhe se në misione janë caktuar edhe diplomatë të ngarkuar me fushën e diplomacisë ekonomike.

Ndërsa drejtori i Departamentit për Diplomaci Ekonomike, Guner Ureya, e sqaroi në tërësi projektin e ministrisë, rëndësinë që ka ky projekt, në raport me zhvillimin ekonomik të vendit dhe ndikimin e rëndësinë e nivelit lokal, në këtë drejtim, format e bashkëpunimit dhe rëndësinë e binjakëzimeve me komunat nga vendet tjera.

Nga ana tjetër, Kryetari Suma i njoftoi zyrtarët e ministrisë me kapacitetet dhe potencialet që posedon Komuna e Hanit të Elezit, duke shprehur zotimin dhe gatishmërinë që për të gjithë investitorët potencial që duan të investojnë në komunë të ofrojë lehtësira në taksa, investime në infrastrukturë por edhe në fuqi punëtore.

Kryetari Rufki Suma dhe zyrtarët e MPJ-së, u pajtuan për bashkëpunim të ndërsjellë me qëllim të promovimit të komunave, në raport me investitorët e mundshëm, si nga investitorët e huaj ashtu edhe të diasporës. /InfoKomuna/