Reshjet e shiut vështirësojnë gjendjen në Hanin të Elezit (Foto)

Hani i ElezitPostuar: 10:56 / 01.12.2017

Reshjet e pandërprera të shiut të cilët kanë goditur edhe komunën e Hanit të Elezit e paraqesin të vështirësuar gjendjen në mëngjesin e kësaj dite.

Aktualisht më e rënduar është gjendja në rrjedhën e Lumit Lepenc, ku nga niveli i lartë i ujit është ndërprerë qarkullimi nga fshatrat Kotlin- Laç drejt Hanit të Elezit si dhe Pustenik - Hani i Elezit, transmeton InfoKomuna.

E përmbytur është edhe një pjesë e segmentit të Hekurudhës Kaçanik-Hani i Elezit te vendi i quajtur Uji i Thartë, ndërsa janë evidente edhe dëme tjera në infrastrukturën publike.

E përmbytur është edhe një pjesë e madhe e fushës së fshatit Seçisht për shkak të një ure të improvizuar nga Kompania Guri i Bekuar e cila ka bllokuar rrjedhën e Lumit Lepenc.

Është evidente se edhe nga punimet që Kompania Bechtel- Enka është duke zhvilluar në shtratin e Lumit Lepenc, përkatësisht një ure të improvizuar nga kjo kompani kanë devijuar rrjedhën e ujit, ndërsa nga punimet për gjatë shtratit kanë shkaktuar që shumë material inert dhe drunjë e mbetje tjera të mbesin në urat e Lumit si te Ura e Fejzë dhe Ura e Seçishtes.

Edhe pajisjet e Kompanive që janë duke punuar në këtë segment të autostradës janë të përmbytura.

Për momentin nuk raportohet për ndonjë rrezik të ndonjë familjes, ndërsa Kryetari i Komunës Rufki Suma në takim me Policinë e Kosovës u dakorduan që të mbahen të informuar në vazhdimësi lidhur me gjendjen. /InfoKomuna/