Ujku sulmon fëmijën në Dimcë të Hanit të Elezit

Hani i ElezitPostuar: 12:11 / 26.06.2019

Komuna e Hanit të Elezit njofton se një ngjarje e pazakontë ka ndodhur në fshatin Dimcë të Komunës së Hanit të Elezit, ku nga një ujk janë sulmuar fëmijët e këtij fshati.

Sipas Ekrem Sumës, dëshmitar, ngjarja ka ndodhur në orët e pasdites së djeshme kur ujku ka sulmuar fëmijët në një rrugicë mali, pothuaj se në fshat me ç’rast më së keqi ka pësuar njëri nga fëmijët më të vegjël i moshës 5-vjeçare.

"Ai tha se në momentin kur ka dëgjuar thirrjet e fëmijëve, ka qëlluar shumë afër vendit të ngjarjes dhe ka larguar ujkun, i cili e kishte tërhequr zvarrë për disa metra fëmijën", thuhet në njoftim.

Për të kuptuar për më shumë, vendin e ngjarjes, sot e vizituan përfaqësuesit e komunës dhe Policisë së Kosovës.

Mësohet se fëmija ka pësuar lëndime të rënda trupore dhe po trajtohet në Qendrën Klinike Spitalore në Prishtinë, ndërsa është jashtë rrezikut për jetë. /InfoKomuna/