Inspektorati ndali 21 transportues ilegalë në ditën e parë të aksionit

PrishtinëPostuar: 09:18 / 16.04.2019

Inspektorati i Komunës së Prishtinës ka konfiskuar vetëm gjatë ditës së hënë 21 automjete, që kanë transportuar udhëtarë apo mallra, në mënyrë të kundërligjshme.

Këtë e ka konfirmuar për “Kohën Ditore” shefi i sektorit të rendit komunal të Prishtinës, Alban Ymeri, duke thënë se aksioni është kryer në bashkëpunim me Policinë e Kosovës duke u bazuar në Ligjin për Transport, shkruan sot Koha Ditore.

Ndërsa, kjo ka qenë dita e parë e fillimit të këtij aksioni për ndaljen dhe konfiskimin e transportuesve ilegalë nga ana e Komunës së Prishtinës, e cila për afro dy vjet nuk ka ndërmarrë aksione të këtilla, pasi që nuk ka pasur kompani të kontraktuar të merimangës.

Drejtori i Inspektoratit në Komunën e Prishtinës, Adonis Tahiri, ka njoftuar të hënën publikisht se që nga kjo e hënë, Komuna do të fillojë me masa shtesë për automjetet, siç ka thënë ai, “për të krijuar rend dhe rregull në transport”.

Ai ka theksuar se sipas Ligjit dhe Rregullores në fuqi, çdo automjet i konfiskuar do të mbahet dy deri në pesë ditë në parkingun e Komunës.