Inspektorët i Malishevës ndalojnë punën në një furrë të gëlqeres

MalishevëPostuar: 13:07 / 26.04.2018

Inspektorët e Komunës së Malishevës, të udhëhequr nga drejtori i drejtorisë, Dibran Kastrati, sot kanë ndërprerë punën në një furrë për përfitimin e gëlqeres, në fshatin Bardh të Malishevës. Bashkë me inspektorët, në vendin e ngjarjes ishte prezent edhe kryetari Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, si dhe zyrtarët e Policisë së Kosovës.

Përfitimi i gëlqeres, në mënyrën klasike, është prej zejeve të zhvilluara të fshatrave përreth Maleve të Berishës, mirëpo, kjo formë e përfitimit të gëlqeres, përveç dëmit të madh në shëndetin e vet përfituesve dhe të banorëve përreth, në masë të madhe e dëmton edhe ambientin, e gjithashtu kjo formë e përfitimit të gëlqeres, është e ndaluar. Në shumë raste, këta zejtarë, përdorin edhe goma për djegien e furrave.

“Ne si komunë, jemi të gatshëm, që të gjithë juve që merreni me këtë zeje, të ju ofrojmë mundësi tjera, përmes subvencioneve në bujqësi, në stalla apo serra, vetëm mos u merrni me këtë zeje, që tani është e ndaluar për shumë arsye, e mbi të gjitha mos dëmtoni shëndetin tuaj dhe banorëve tjerë në fshat, dhe mos e ndotni ambientin më shumë”, ju ka thënë kryetari Begaj, zejtarëve të kësaj zeje.

Në mars të vitit 2015, zyrtarët e Ministrisë së Ambientit dhe pronarët e furrave të gëlqeres, kishin mbajtur një takim, ku këta të fundit janë njoftuar për ndalimin e djegies së furrave, e sidomos për ndalimin e djegies së gomave, me qëllim të ruajtjes së ambientit.

Gjithashtu, në vitin 2015, kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, kishte kërkuar nga ministria përkatëse, që të ndihmojnë komunën, në subvencionimin e këtyre zejtarëve, që të largohen nga ky lloj i veprimtarisë, por Ministria e Ambientit, përveç ndalimit të kësaj zeje, nuk ka qenë në gjendje që të ofroj mundësi tjera për këta pronar furrash.

Megjithatë, Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, e ka përsëritur gatishmërinë për të ofruar mundësi tjera për  këta zejtarë, që të largohen nga ky lloj i zejes, që është e ndaluar, dhe të merren me bujqësi, dhe për këtë edhe komuna është e gatshme që ti mbështes, pasi ruajtja e shëndetit të banorëve të këtyre fshatrave dhe ruajtja e ambientit, janë më të rëndësishme se përftimi nga gëlqerja.

Djegia e furrave për përfitim të gëlqeres, përcillet me shumë dëme anësore në ambient, duke filluar nga shëndeti i banorëve dhe vet pronarëve të furrave, duke vazhduar me dëmet ambient që shkaktohen nga tymi, pastaj prerja e drunjve dhe dëmtimi i pyjeve, gërmimi për gurë gëlqerorë dhe marrja e tyre në mënyrë ilegale, e deri të djegia e gomave, që është rreptësisht e ndaluar. /InfoKomuna/