Instituti KLGI ndan çmimin vjetor për demokraci lokale gazetarit, Arben Ahmeti

Postuar: 17:49 / 21.12.2017

Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale (KLGI), sot ka mbajtur ngjarjen vjetore të ndarjes së “Çmimit për Demokraci Lokale”, njëherësh ka lansuar programin tre vjeçar “Mbështetje për Komuna të Forta dhe të Qëndrueshme” i mbështetur nga Ambasada e Mbretërisë së Norvegjisë.

Këtë vit, çmimi vjetor për demokraci lokale iu nda Arben Ahmeti - gazetar i mirënjohur, themelues dhe drejtues i programit “Zyra e Ankesave” në RTV Dukagjini. Ky çmim i Institutit KLGI prezantohet si vlerësim që i bëhet personaliteteve për përkushtim dhe kontribut të dalluar në fushën e qeverisjes dhe demokracisë lokale.

Ahmeti, përmes emisionit që drejton, në vazhdimësi ka qenë në shërbim të adresimit të problemeve të qytetarëve, duke pasur efekt pozitiv në lagje, fshatra dhe qytete të Republikës së Kosovës.

Ndërkaq, programi tre vjeçar “Mbështetje për Komuna të Forta dhe të Qëndrueshme”, për synim ka forcimin e komunave në relacion me kompetencat dhe përgjegjësitë në nivel të qeverisjes lokale.

Në këtë ngjarje përmbyllëse për vitin 2017 u prezantuan sfidat kyçe të komunave në mandatin paraprak dhe orientimet strategjike në mandatin e ri katër vjeçar.

Folës kryesor në këtë ngjarje ishin: Kryeministri i Republikës së Kosovës z. Ramush Haradinaj, Ambasadori i Mbretërisë së Norvegjisë, z. Per Strand Sjaastad; Drejtori Ekzekutiv i Institutit KLGI, z. Besnik Tahiri, dhe një fjalë rasti nga laureati i “Çmimit për Demokraci Lokale 2017”.

Drejtori ekzekutiv i Institutit KLGI, Besnik Tahiri, duke prezantuar sfidat kyçe të komunave në mandatin paraprak theksoi se politikat dhe legjislacioni i prodhuar dhjetë vite më parë për komunat, tashmë mund të vlerësohet i skaduar.

Ai vuri theksin se legjislacioni i prodhuar 10 vite më parë për komunat, ishte i domosdoshëm për synimet politike dhe strategjike të shtetit dhe pavarësisë si dhe për akomodim të minoriteteve. Por, 10 vite pas, gjendja në terren tregon se kësaj kornize i ka skaduar afati, se komunat ka evoluar, dhe se ka nevojë që korniza e ardhshme e politikave dhe legjislacionit t’i kthej komunat gjenerator të zhvillimit;

Gjithashtu ai përmendi tri çështje kyçe që po reflektojnë si sfida zinxhirore për komunat tash e një dekadë: E para, lidhet me paqartësitë, dhe dykuptimësitë ligjore janë duke e penguar qëndrueshmërinë dhe shërbimet nëpër komuna.

E dyta, ka të bëjë me mungesën e financimit të qëndrueshëm dhe kapacitetet e dobëta në planifikim. Andaj Instituti në të gjitha hulumtimet e veta gjen evidencë se formula e tanishme e financimit të komunave nuk garanton shërbime cilësore dhe zhvillim të qëndrueshëm.

E treta, lidhet me reformat që përfshin Administratën, efikasitetin dhe zgjedhjet. Janë tri ligjet e reformës së administratës që duhet të kalojnë për të rregulluar barazinë në titull, në pagë dhe në avancim. Parimi është i thjeshtë: paga e njëjtë për punën e njëjtë.

Kryeministri Ramush Haradinaj, theksoi se përkrahja, promovimi dhe reforma janë tri synime kyçe mbi të cilat Qeveria zotohet se do të jetë partner i ngushtë dhe bashkë-udhëtar me komunat në zhvillimin e Kosovës.

Ai tha se në perspektivën e qeverisjes së secilit vend, por sidomos të vendit tonë, barra më e madhe dhe përgjegjësitë më të mëdha bien mbi qeverisjen komunale. “Arsyeja është se ka pasur një shkëputje dhe vakuum të gjatë në qeverisje, dhe fillimi i qeverisjes në të njëjtën kohë ka qenë emergjencë, rindërtim, rregullim apo normim i jetës, kuptohet me kufizimet buxhetore dhe vështirësitë e mëdha me të cilat është përballë qeverisja komunale”, tha kryeministri Haradinaj.

Më tej, kryeministri theksoi gatishmërinë e Qeverisë për të qenë partnere e komunave, jo vetëm në ato pika që janë të parapara me Kushtetutë dhe ligjet në fuqi, por përkrahje të ndërsjellë me njohuritë nga niveli qendror.

Duke folur për reformat, kryeministri Haradinaj tha se në këtë drejtim duhet të ndërmarrim veprime konkrete, e po ashtu të marrim edhe njohuritë e vendeve të zhvilluara dhe t’i bartim ato në institucionet tona përmes përfshirjes së ekspertëve dhe marrjes së përvojave të tyre në qeverisje.

Ambasadori i Norvegjisë në Kosovë, Per Strand Sjaastad, tha se objektiv i përgjithshëm për të gjitha komunat duhet të jetë promovimi i qeverisjes së mirë lokale.

“Kjo ka të bëjë me menaxhimin e mirë të shëndetësisë, arsimit, sektorit social. Objektiv është që të përmirësohet qeverisja ne komunat e Kosovës dhe përmirësimi i bashkëpunimit me autoritetet nacionale”, tha ai.

Ambasadori përgëzoi z. Tahiri për programin e ri, duke thënë se Ambasada norvegjeze do të vazhdojë bashkëpunimin me institutin KLGI.
 “Institutin KLGI dhe drejtorin Tahiri dua t’i uroj për përkushtimin e tyre dhe do të ketë përkrahjen tonë në të ardhmen për forcimin e komunave. Objektivi është përmirësimi i qeverisjes lokale... Autoritetet lokale të jenë të fuqishme dhe të jenë në gjendje të krijojnë politika që të ofrojnë shërbime të mira dhe transparente”. /InfoKomuna/
 

VitiKomente: 0 Mbahet mbledhja e radhës e Kuvendit Komunal të Vitisë 16:49 / 28.03.2024 Mbledhja e tretë e rregullt e Kuvendit Komunal të Vitisë është mbajtur sot, me që rast në fillim të kësaj mbledhje, kryesuesi i Kuvendit, Bekim Azizi i njoftoj anëtarët rreth vlerësimit të ligjshmërisë së akteve të miratuara në mbledhjet e kaluara të...