Haradinaj: Kryetari i ri i Istogut të jetë figurë unifikuese

IstogPostuar: 10:06 / 18.12.2017

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, ka përshëndetur zgjedhjet e së djeshmes në Istog, zgjedhje që u mbajtën për të tretën herë me radhë.

Ka thënë se kryetari i ri i Istogut, duhet të jetë figurë unifikuese e kësaj komune, pasi këto zgjedhje ndryshojnë jetën e njerëzve dhe kanë rëndësi jetike për të ardhmen e tyre, transmeton Koha.net.

Postimi i plotë i Haradinajt:

"Zgjedhjet në Istog kanë treguar pjekurinë tonë si shoqëri dhe kanë dëshmuar vizionin për të ardhmen e vendit.

I përgëzoj qytetarët e komunës së Istogut për zgjedhje të qeta dhe e vlerësoj përkushtimin e tyre për të marrë pjesë në votim edhe për herën e tretë. Zgjedhja e Istogut është zgjedhje e ndryshimit dhe zgjidhje për të ardhmen e qytetarëve të tij.

E vlerësoj punën e të gjithë mekanizmave që janë përkujdesur për organizimin dhe mbarëvajtjen e procesit zgjedhor në Istog dhe i përgëzoj për punën e bërë.

Kryetari i ri i Istogut duhet tani të jetë figura unifikuese e komunës, që do të punojë për secilin qytetar të tij dhe për të mirën e gjithë komunitetit.

Procesi zgjedhor në Kosovë u përmbyll me votimin në Istog dhe është procesi deri më sot më i mirë i organizuar. Kjo është një vlerë e demokracisë në Kosovë që po zhvillohet dhe ndërtohet çdo ditë. Zgjedhjet komunale prekin dhe ndryshojnë jetën e njerëzve, prandaj kanë rëndësi jetike për të ardhmen më të mire të qytetarëve."



Kujtojmë edhe një herë se në garë për kryetar komune janë Gani Dreshaj nga AAK dhe Haki Rugova nga LDK.

Mbrëmë nga rezultatet preliminare të KQZ-së, fitues doli të jetë fillimisht Gani Dreshaj i AAK-së, por burime të Kohës Ditore brenda KQZ-së, bënë të ditur se pas disa gabimeve në administrim, fitues është Haki Rugova i LDK-së me 75 vota para.