Kryetari Rugova shpalos aktivitetet e gjashtëmujorit të parë

IstogPostuar: 14:44 / 17.07.2017

Kryesuar nga kryetari i komunës Haki Rugova, sot në sallën e Kuvendit Komunal,është mbajtur tubimi i parë me qytetarë që kishte për qëllim shpalosjen e aktiviteteve të komunës për gjashtëmujorin e parë të vitit 2017, transmeton InfoKomuna.

 Fillimisht  Kryetari Rugova ka përshëndetur dhe ka falënderuar qytetarë të cilët kishin ardhur për të dëgjuar se çfarë është bërë në këtë gjysmë vit por edhe për të ndarë së bashku hallet dhe brengat që ata kanë. Gjatë kësaj periudhe janë realizuar dhe janë në realizim e sipër shumë projekte të cilat do të ndihmojnë në përmirësimin e jetës së qytetarëve të komunës së Istogut dhe unë duke paraqitur këtë njoftim të shkurtër, mbi punën e organeve komunale dhe rezultateve të arritura, nuk kam për qëllim që të mohoj edhe disa lëshime gjatë punës të cilat shpresojmë se gjatë periudhës së ardhshme do të eliminohen, tha ndër të tjera kryetari Rugova.  
Po ashtu të pranishmit janë njoftuar për projektet e realizuara në të gjitha fushat  por edhe me sfidat me të cilat ballafaqohet komuna e Istogut. Nga ana e qytetarëve u ngritën çështje që kryesisht kishin  të bënin  me infrastrukturë rrugore,ujësjellës, kanalizim, si dhe kërkesa tjera në të cilat kryetari Rugova ka dhënë përgjigje.
 
Komuna e Istogut i falënderon të gjithë të pranishmit në këtë debat, pasi që me  vërejtjet, sugjerimet, si dhe kërkesat e tyre për përmirësimin e jetës në Istog, bashkërisht kontribuohet në zhvillimin e qytetit, rritjen e cilësisë së jetës.
/InfoKomuna/