Ndahen 350 mijë euro për fazën e tretë të projektit "Memoriali Ibrahim Rugova" në Istog

IstogPostuar: 13:26 / 28.09.2018

“Memoriali Ibrahim Rugova” në Istog ishte planifikuar të përfundonte në vitin 2017, por për shkak se për fazen e tretë të projektit, nga 294 mijë euro të planifikuara janë paguar vetëm 47 mijë euro, projekti ka dështuar të kryhet.

Projekti që është cilësuar si më i rëndësishmi për komunën e Istogut, “Memoriali Ibrahim Rugova” ka mundësi të përfundojë këtë vit, pasi që komunës së Istogut, si bartëse e projektit i janë ndarë 350 mijë euro për fazën e tretë, e që është faza e fundit e projektit.

“Memoriali Ibrahim Rugova” në Istog ishte planifikuar të përfundonte në vitin 2017, por për shkak se për fazen e tretë të projektit, nga 294 mijë euro të planifikuara janë paguar vetëm 47 mijë euro, projekti ka dështuar të kryhet.

Nënkryetari i Istogut, Lulzim Blakaj, i ka thenë “Zërit”, të martën, se aktualisht është duke u punur për zgjedhjen e operatorit ekonomik për fazën vijuese të projektit.

“Jemi në fazën e përzgjedhjes së operatorit ekonomik për realizimin e fazes së tretë të projektit. Komuna e Isotugit ka nënshkruar marrëveshje me Agjencinë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës (AMKMK) në vlerë prej 350 mijë euro për vazhdimin e punimeve në kompleksin memorial dhe muzeun “Ibrahim Rugova” në Istog.

Kuvendi i Republikës së Kosovëa ka aprovuar 200 mijë euro, ndërsa 150 mijë euro janë të komunës së Istogut. Vazhdimi i punimeve të memorialit dhe muzeut do të nisin shpejt. Më pas do të fillojnë punimet për vendosjen e shtatorës së presidentit historik të Kosovës, dr. Ibrahim Rugova”, ka thenë Blakaj, i cili ka shtuar se me mjetët që janë ndarë për fazën e tretë do të përfundojë i gjithë projekti, shkruan më tutje “Zëri”.

Realizimin e “Memorialit Ibrahim Rugova” në Istok e kanë përcjellë probleme të mëdha, kryesisht të natyrës financiare. Ky projekt ishte planifikuar të realizohej në disa faza, por punimet nuk janë kryer, pasi që kanë munguar mjetët.  Komuna e Istogut këtë projekt e ka bashkëfinancuar me Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH).

Meqë projekti në fazën e tretë nuk arriti të finalizohet brenda vitit fiskal 2016, kjo komunë e kishte humbur shumën e dedikuar nga ministria. Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor projektin “Memoriali Ibrahim Rugova” nuk e ka marrë më mbështetje as në vitin 2017, derisa në këtë vit janë ndarë 350 mijë euro me të cilat besohet se do të përfundohet projekti.

Për punimet e fazës së parë dhe të dytë janë ndarë mjete në vlerë 300 mijë euro, prej të cilave 200 mijë i ka ndarë MMPH-ja. Punimet e këtyre dy fazave i ka kryer kompania ”Intering Construction”. Për punimet e fazës së tretë janë ndarë mjete në vlerë 294 mijë euro, por janë paguar vetëm 47 mijë euro. Punimet e kësaj faze i ka kryer kompania “Conex Group”.

Projekti pritet të vazhdojë këtë vit dhe planet janë që ai të kryhet brenda vitit 2018. Projekti “Memoriali Ibrahim Rugova” ka koston prej 1.2 milionë euro, ndërsa ai do të ketë salla solemne, salla për konferenca, muzeun, një sallë për shitje artizanale dhe hapësira të tjera.

Në komunën e Istogut i kanë thenë “Zërit” se në fazën e parë dhe të dytë janë kryer punët përgatitore, punët e dheut dhe të zhavorrit, punët e betonit, të armaturës, të muratimit dhe punët izoluese, shkruan më tutje “Zëri”.

Sipas zyrtarëve komunalë të Istogut, për kryerjen e këtyre punëve janë paguar 182.210 euro dhe ato janë mjete që i ka ndarë Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, ndërsa në fillim të fazës së dytë janë kryer punët e platesë dhe se për këtë punë janë paguar 83.510 euro nga buxheti i Komunës së Istogut. Në total për këto punë janë 265.720 euro, ndërsa janë kryer 30 për qind e punëve nga totali i vlerës së projektit.

Nënkryetari i Istogut, Lulzim Blakaj, ka ripërseritur se i gjithë projekti ka qenë ide e një qytetari të komunës së Istogut, i cili ndodhet në botën e jashtme, ndërsa është nxitur nga fakti se presidenti Rugova është i Istogut, përkatësisht i Cërcës, një fshat afër Istogut dhe duke çmuar lart kontributin e Ibrahim Rugovës për internacionalizimin e Kosovës dhe kontributin e tij të madh për pavarësinë e shtetit të Kosovës

“Bashkatdhetari kishte menduar se për dr. Rugoven duhet bërë më shumë, që do të mbetët në kujtesën e të gjithë istogasve dhe të brezave që vijnë, andaj pati  hartuar një projekt, të cilin e pati dorëzuar në Komunën e Istogut, me kërkesën që ai të realizohet. Projekti i tij ‘Memoriali Ibrahim Rugova’ pati gjetur përkrahje jo vetëm në Komunën e Istogut, por edhe në Ministrinë e Mjedisit dhe të Planifikimit Hapësinor”, shpjegon Blakaj, duke shtuar se bashkatdhetari e ka bërë projektin falas për të kontribuar në ngritjen e “Memorialit Ibrahim Rugova”, i cili, sipas tij, është njëri ndër projektet më të rëndësishme të kësaj natyre në Komunën e Istogut.

“Memoriali do të ketë salla solemne, salla për konferenca, muzeun, një sallë për shitje artizanale dhe hapësira të tjera. Do të ngrihet edhe një shtatore e presidentit Ibrahim Rugova dhe kjo punë do të bëhet pasi të përfundojnë të gjitha punët. Është vendosur që për shtatoren e dr. Ibrahim Rugovës të zgjidhen skulptorët më të mirë, në mënyrë që ajo të jetë sa më origjinale”, ka precizuar kryetari i Istogut, Lulzim Blakaj.

Ndryshe, “Memoriali Ibrahim Rugova” ka filluar të ndërtohet në qendër të Istogut, pikërisht në vendin ky kryqëzohen rrugët që vijnë nga Mitrovica e Peja dhe rruga që çon për në Bajë dhe në Vrellë.

Momentalisht në vendin ku do të ngritet “Memoriali Ibrahim Rugova” shihen vetëm mbeturina, ndërsa një pjesë e pllakëzave kanë filluar të dëmtohen. Për shkak të ngecjeve në realizimin e projektit dhe mungesës së përkujdesjes për punët që janë kryer deri me tani, e gjithë hapësira ka marrë pamje të shëmtuar, ngase bërlloku shihet kudo në atë pjesë që dikur ishte parku i qytetit të Istogut.

Por, në Istog janë të bindur se pas përfundimit të projektit, “Memoriali Ibrahim Rugova”, posaçërisht shtatorja e dr. Ibrahim Rugoves, do t’ia shtojë hijeshinë Istogut, do t’i jepë pamje impozante qytetit, e çka është më e rëndësishmja, Istogu do të jetë joshës për shumë vizitorë.