Qeverisja e Istogut mes ngecjeve në shumë fusha

IstogPostuar: 11:50 / 10.06.2019

Gjetjet dhe rekomandimet e Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) gjatë kontrollit të Pasqyrave Financiare Vjetore (PFV) të Komunës së Istogut vitet e kaluara, rezultojnë se nuk kanë qenë fort prioritet i qeverisjes lokale për zbatimin e tyre.

Vitet e fundit janë bartur rekomandimet nga njëri vit në tjetrin, ndërkohë janë shfaqur rekomandimet e tjera.

Dhe ky nivel i ulët i zbatimit të rekomandimeve nga vitet paraprake është shënuar edhe në raportin e auditorit të përgjithshëm për vitin 2018. Si rezultat i gjetjeve të auditimit për vitin 2018, ZKA-ja ka nxjerrë gjithsej 18 rekomandime. Raporti i auditimit të pasqyrës financiare vjetore për vitin 2017 kishte rezultuar me 16 rekomandime, shkruan sot Koha Ditore.

“Raporti ynë i auditimit për PFV-të e vitit 2017 të Komunës së Istogut ka rezultuar me 16 rekomandime kryesore. Komuna e Istogut kishte përgatitur një plan veprimi ku paraqitet mënyra se si do të zbatohen të gjitha rekomandimet e dhëna. Megjithatë, nuk janë marrë veprime të mjaftueshme pasi që plani i veprimit nuk është zbatuar në tërësi dhe mangësitë e njëjta vazhdojnë të përsëriten në disa fusha. Deri në fund të auditimit tonë për vitin 2018, vetëm pesë rekomandime ishin zbatuar plotësisht, tri ishin në proces të zbatimit, ndërsa shtatë nuk janë zbatuar ende. Po ashtu, një rekomandim ishte i mbyllur”, thuhet në raportin e ZKA-së për mos progresin e zbatimit të rekomandimeve në Komunën e Istogut.