Jep dorëheqje Lulzim Aliu, anëtar i Kuvendit të Komunës së Ferizajt

FerizajPostuar: 09:06 / 13.03.2017

Lulzim Aliu, anëtar i Kuvendit të Komunës së Ferizajt dhe këshilltar politik i zv/kryeministrit të parë, Hajredin Kuçi, ka dhēnë dorëheqje nga Kuvendi i Komunës së Ferizajt.

"Nga sot nuk do të jem më anëtar i Kuvendit të Komunës së Ferizajt. Po dorëhiqem!. Nuk mund të vazhdoj të jem edhe më pjesë e një Kuvendi që ka tjetërsuar krejtësisht rolin e vet. Nuk dua t’i zhgënjej ata që më votuan për të qenë zëri i tyre aty ku mirren vendimet për ta. Ky Kuvend, i krijuar me pazare, po voton vetëm me pazare dhe vetëm për pazare", ka shkruar Aliu në profilin e tij në Facebook.

Sipas tij me këtë Kryetar komune, i cili ka blerë shumicën e anëtarëve të Kuvendit, qyteti ynë ka rrezik të shkoj drejt kaosit urban e moral.

"Përfundimisht, nuk dua të jem vulë që mbulon të bëmat e tij, të bëma të cilat e zhvlerësojnë tejmase shtetin dhe e degradojnë atë në nivel shumë të ulët interesash personale e grupore. Kjo është protesta ime!", ka theksuar ai.